Champions League drejt një ndryshimi

- Bota Sot

Champions League drejt një ndryshimi

Një nga simbolet më të njohura të UEFA Champions League mund të ndryshojë shumë shpejt.

Sipas raportimeve të medieve ndërkombëtare, UEFA po përgatitet të hapë një tender të ri për prodhimin e topit zyrtar të ndeshjeve, çka mund t’i japë fund bashkëpunimit historik me Adidas pas 26 vitesh.

Prodhuesi gjerman ka furnizuar topin zyrtar të kompeticionit më prestigjioz të klubeve në Europë që nga viti 2001, duke e kthyer dizajnin me yje në një nga ikonat më të njohura të futbollit botëror.

Megjithatë, drejtuesit e UEFA-s po kërkojnë të rrisin të ardhurat nga të drejtat komerciale, duke hapur garën për kompani të tjera të mëdha sportive.

Sipas raportimeve, në këtë proces mund të përfshihen edhe rivalët kryesorë të Adidas, si Nike dhe Puma, të cilët janë të interesuar të vendosin emrin e tyre mbi topin e ndeshjeve të Champions League.

Tenderi pritet të përfshijë jo vetëm këtë kompeticion, por edhe dy turnetë e tjerë europianë për klube: UEFA Europa League dhe UEFA Europa Conference League.

Procesi do të organizohet përmes strukturës UC3, që bashkon UEFA-n dhe European Club Association, ndërsa kompanitë e interesuara do të paraqesin ofertat e tyre për të fituar të drejtat e prodhimit të topave zyrtarë.

Ndryshimi mund të hyjë në fuqi duke filluar nga sezoni 2027/28. Aktualisht, edhe marrëveshja e prodhuesit sportiv Decathlon për topat e UEFA Europa League dhe UEFA Europa Conference League është drejt përfundimit, çka mund ta bëjë edhe më të fortë konkurrencën mes kompanive.

Megjithatë, Adidas pritet të luftojë për të mbrojtur pozicionin e saj historik në Champions League, në një garë që mund të shndërrohet në një “betejë” të vërtetë mes gjigantëve të industrisë sportive.



Read it all at Bota Sot