Ish-sulmuesi i Liverpool FC, Peter Crouch, ka shprehur dyshimet e tij për të ardhmen e trajnerit të Tottenham Hotspur, Igor Tudor, në rast se ekipi i tij pëson humbje në përballjen me Liverpoolin këtë fundjavë në “Anfield”.
“Thjesht nuk shoh asnjë mundësi që Tottenham të marrë një rezultat pozitiv,” tha Crouch për “Paddy Power”.
“Rezultatet e fundit kanë qenë të tmerrshme”, theksoi ai.
“Ndeshja me Atletico ishte katastrofë, veçanërisht në 20 minutat e para. Loja ndaj Crystal Palace ishte shumë zhgënjyese. Takimi me Fulham duket se ishte i domosdoshëm për fitore — dhe ata u mposhtën keq atje — po ashtu edhe nga Arsenal.”
“Kur shikon ndeshjet, unë thjesht nuk mund ta shoh që ata të shpëtojnë. Mendoj se mund të pësojnë një humbje të thellë dhe pas kësaj ndeshjeje mund të jetë dita e fundit e Igor Tudor në Tottenham,” përfundoi ish-sulmuesi.
Ky paralajmërim i Crouch vjen në një moment të vështirë për “Spurs”, të cilët po përballen me një seri rezultatesh negative që kanë rritur spekulimet për të ardhmen e trajnerit në klub.