Klubi i futbollit Shkëndija e Tetovës u bën thirrje të gjithë tifozëve dhe mbështetësve që në këtë fazë vendimtare të kampionatit të vazhdojnë të jenë forca jonë më e madhe dhe “lojtari i 12-të” në garën për titullin kampion.
“Mbështetja nga tribunat ka qenë gjithmonë një nga shtyllat kryesore të suksesit të skuadrës sonë. Megjithatë, ngjarjet e fundit kanë sjellë sërish pasoja disiplinore për klubin.
Pas ndeshjes ndaj Pelisterit, klubi është gjobitur me 5 000 për shkak të hedhjes së gjësendeve të forta nga tribunat.
Ndërkohë, pas ndeshjes së xhiros së 22-të ndaj AP Brera, klubi është dërguar sërish në Komisionin e Disiplinës për shkak të një çakmaku të hedhur nga një tifoz pas përfundimit të ndeshjes. Ky rast pritet të sjellë një tjetër dënim për klubin, ndërsa përsëritja e ngjarjeve të tilla mund të çojë edhe në masa më të rënda disiplinore.
Duke vlerësuar maksimalisht përkrahjen e madhe që tifozët tanë i japin skuadrës, apelojmë që të gjithë të jenë sa më të përmbajtur dhe të kujdesshëm në sjelljet e tyre në stadium.
Ftojmë gjithashtu çdo tifoz që të ndikojë pozitivisht edhe te ata që ka pranë vetes, në mënyrë që nervozën apo provokimet eventuale të mos i shprehin përmes hedhjes së gjësendëve në fushë, pasi në këtë mënyrë dëmtohet vetëm skuadra juaj.
Shkëndija ka nevojë për mbështetjen e plotë të tribunave, por një mbështetje që ndihmon ekipin dhe jo që e penalizon atë.
Skuadra jonë të dielën, në kuadër të xhiros së 23-të të kampionatit, në stadiumin e qytetit në Tetovë nga ora 14:30 përballet me KF Arsimi nga Çegrani.
Le të jemi të gjithë bashkë për ta shtyrë Shkëndijën drejt objektivit tonë të përbashkët”, thuhet nga Shkëndija.