Ish-futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Herolind Shala, i cili së fundmi është rikthyer te Feronikeli, ka folur për rikthimin në klubin e qytetit të tij, synimet me skuadrën, si dhe për disa tema që lidhen me Kombëtaren e Kosovës dhe futbollistët kosovarë që po bëjnë karrierë jashtë vendit.
Në një intervistë për KosovaPress, ai theksoi se dëshira për ta përfunduar karrierën te Feronikeli ka qenë prej kohësh në mendjen e tij, ndërsa u shpreh optimist edhe për objektivin e klubit për t’u rikthyer në Superligën e Kosovës.
Duke folur për vendimin për t’u rikthyer te Feronikeli, Shala tha se kjo ka qenë një ëndërr e kahershme për të dhe se momenti për rikthim erdhi tani.
Shala: Vendimin për t’u kthyer te Feronikeli e mora para shumë viteve
“Normal, vendimin e kam marrë edhe para shumë vite, se gjithmonë ëndrra ime ka qenë ta përfundojë karrierën te Feronikeli. Edhe, në futboll nuk i dihet kurrë sepse është zor edhe të planifikohet, po tani erdhi momenti edhe e ndjeva, e ndjeva të kthehem...Nuk është edhe e vështirë, po normal, tani edhe i kam bërë pak vjet, edhe erdhi momenti të kthehem edhe t’i ndihmojë klubit të qytetit tim... Kam pasur edhe opsione të tjera, po kam qenë besnik ndaj Niklit edhe këtë e kemi folur edhe para disa vite, të kthehem kur jam i gatshëm”, theksoi Shala.
Ai foli edhe për gjendjen aktuale të klubit dhe objektivin kryesor që ka skuadra në këtë sezon.
Shala: Me Feronikelin duam kthimin në Superligën e Kosovës
“Është shumë mirë, është në një ecje shumë të mirë dhe besoj se që do ti arrijmë qëllimet në fund të sezonit. Po, klubi është mirë, kushtet janë shumë të mira, stadiumi është i mirë, dhe besoj që së shpejti Nikli do të kthehet aty ku e ka vendin...Normalisht kthimi është në Superligë edhe do punojmë çdo ditë për arritur atë objektiv”, deklaroi tutje Shala.
Shala u ndal edhe te çështja e zgjedhjes së kombëtares nga futbollistët me prejardhje shqiptare, duke thënë se vendimi është gjithmonë personal dhe duhet respektuar.
Shala: Vendimi për ta zgjedhur ose jo Kosovën i takon lojtarëve personalisht
“Është një temë pak e vështirë të diskutohet sepse gjithmonë ata e ndjejnë që për kë duan të luajnë. Edhe unë e kam pasur të njëjtën vështirësi, po unë në fund të fundit kam zgjedhur Kosovën...Çdo lojtar e ka atë vendimin e vet edhe ato mendimet e veta dhe në fund të fundit duhet respektuar edhe ato”, tha Shala.
Duke folur për ndeshjen e Kosovës ndaj Sllovakisë, ai beson se sulmuesi Vedat Muriqi mund të jetë vendimtar në këtë përballje.
Shala: Muriqi mund të jetë vendimtar në sfidën ndaj Sllovakisë
“Besoj se po, normalisht se është një ëndërr e madhe për të gjithë ne, janë dy lojë shumë të vështira. Normalisht duhet kaluar Sllovakinë në lojën e parë jashtë, është shumë e vështirë sepse ata janë një ekip shumë të fortë, por duhet me besuar në cilësitë tona dhe besoj që mundemi me marrë një rezultat pozitiv, pse jo?... Të gjithë janë mirë, janë në ecuri shumë të mirë për momentin. Vedat Muriqi është duke dhënë shumë gola në Spanjë dhe besoj ai mund të jetë një prej lojtarëve që mundet të jep golin e fitores”, thekson tutje Shala.
Në fund, ai komentoi edhe transferimin e Edon Zhegrovës te Juventusi, duke u shprehur se lojtari kosovar ka bërë zgjedhjen e duhur dhe se e pret një e ardhme e madhe.
Shala: Zhegrova nuk gaboi që kaloi te Juventusi
“Jo nuk besoj që është e gabueshme, është një lojtar me cilësi shumë të lartë, është një lojtar fenomenal dhe besoj së shpejti ai do të rikthehet dhe do të luajë më shumë. Edhe ka një të ardhme shumë të mirë dhe shumë të madhe”, tha Shala në fund.
Në karrierën e tij, Shala kishte luajtur për Kombëtaren e Kosovës, atë të Shqipërisë dhe të Novegjisë, derisa ka defiluar edhe në klube evropiane si Sparta Praga, Vålerenga e Notodden.