Obi Mikel: Arsenali po mashtron për të fituar titullin

- Bota Sot

Obi Mikel: Arsenali po mashtron për të fituar titullin

Edhe pse e ka shikuar gjithmonë si kundërshtar, Obi Mikel nuk kursen sulmin ndaj Arsenalit, edhe tani që ka “varur këpucët në gozhë”.

Ish-mesfushori i Çelsit dhe Nigerisë, ka shkaktuar polemika të mëdha pasi akuzoi Arsenalin se po mashtron për të fituar titullin në kampionatin anglez.

Saktësisht, gjatë një interviste për “talkSPORT”, Mikel kritikoi stilin e lojës së ekipit të drejtuar nga Mikel Arteta, duke thënë se skuadra londineze “mbështetet praktikisht vetëm te goditjet nga këndi dhe situatat standarde për të fituar ndeshjet. Një ekip me lojtarë cilësorë si Saka, Martineli dhe Odegard, është e pakuptueshme të mos shfrytëzojë kreativitetin në lojë të hapur”, deklaroi ai.

Mikel shtoi se Arsenali ka shpenzuar gati një miliardë euro për ndërtimin e skuadrës, por sipas tij mënyra se si po fiton ndeshjet është e shëmtuar dhe shumë e varur nga skemat në goditjet e këndit.

Ndërkaq deklaroi se “nuk do ta konsideronte Arsenalin kampion të vërtetë nëse e fiton titullin në këtë mënyrë”. Aktualisht, Arsenali kryeson tabelën e Premier Ligës dhe është pranë titullit të parë kampion pas më shumë se dy dekadash.

RINOVIMET – Ndërkohë, “Topçinjtë” raportohet se kanë nisur negociatat për rinovimin e kontratave me dy nga lojtarët kyç të skuadrës, Deklan Rajs dhe Xhurrien Timber. Drejtuesit e klubit londinez po punojnë për të siguruar të ardhmen afatgjatë të dy futbollistëve, të cilët konsiderohen pjesë e rëndësishme e projektit të trajnerit Areta.

Sipas raporteve, të dy lojtarët janë në mesin e prioriteteve për rinovim që nga viti i kaluar, menjëherë pas marrëveshjes së re të arritur me yllin anglez, Bukajo Saka. Mesfushori anglez Rajs raportohet se është shumë i lumtur te klubi dhe aktualisht është në bisedime me drejtuesit e Arsenalit për të përcaktuar kushtet e kontratës së re.

Klubi synon ta shpërblejë paraqitjen dhe rëndësinë e tij në skuadër me një marrëveshje të rritur. Kurse holandezi Timber është pjesë e planit të klubit për të ardhmen, me Arsenalin që dëshiron të sigurojë qëndrimin e tij në “Emirates” për një periudhë më të gjatë.



Read it all at Bota Sot