Szoboszlai: Duhet të zgjohemi, kjo është zhgënjim i madh

- Bota Sot

Szoboszlai: Duhet të zgjohemi, kjo është zhgënjim i madh

Skuadra e Liverpool FC ka barazuar para pak orësh në përballjen ndaj Tottenham Hotspur, në një ndeshje që përfundoi me zhgënjim për “The Reds”, sidomos pas mënyrës se si u mbyll takimi.

Mesfushori i Liverpoolit, Dominik Szoboszlai, nuk e fshehu zhgënjimin pas ndeshjes, duke pranuar se ekipi duhet të reagojë dhe të përmirësojë performancën.

“Ky është një zhgënjim i madh. Nuk e di çfarë ndodhi, nuk kam çfarë të them”, deklaroi Szoboszlai pas përfundimit të ndeshjes.

Ai theksoi se skuadra ka pësuar edhe një herë goditje në minutat e fundit, një situatë që sipas tij është përsëritur disa herë gjatë këtij sezoni.

“Në minutën e fundit përsëri…nuk e di sa herë ka ndodhur tashmë këtë sezon. Duhet të zgjohemi”, shtoi mesfushori hungarez.

Szoboszlai u ndal edhe te reagimi i tifozëve në stadium. Ai tha se nuk i dëgjoi fishkëllimat, por theksoi se mund ta kuptojë pakënaqësinë e tyre për shkak të formës së ekipit.

“Nuk i dëgjova fishkëllimat, por mund t’i kuptojmë. Nuk po performojmë ashtu siç duhet. Megjithatë, na mbështesni në këtë periudhë të vështirë”, tha ai.

Në fund, mesfushori i Liverpoolit u bëri thirrje bashkëlojtarëve dhe tifozëve që të qëndrojnë të bashkuar për pjesën e mbetur të sezonit.

“Ka ende kohë për të treguar sa shumë e duam këtë klub. Duhet të qëndrojmë së bashku dhe të luftojmë për klubin”, përfundoi Szoboszlai.



Read it all at Bota Sot