Kombëtarja A e Kosovës në hendboll ka nisur grumbullimin për ndeshjet e rëndësishme kundër Bosnjë-Hercegovinës, të vlefshme për fazën e dytë kualifikuese për Kupën e Botës 2027.
Përfaqësuesja kosovare është grumbulluar të dielën, ndërsa gjatë ditës së sotme dhe të martës hendbollistët do të zhvillojnë seanca intensive stërvitore dhe analiza taktike. Të mërkurën ekipi do të udhëtojë drejt Tuzlës, ku do të zhvillohet ndeshja e parë.
Takimi Bosnjë-Hercegovinë – Kosovë luhet të enjten nga ora 20:00 në arenën “Mejdan” në Tuzla. Ndërkohë, ndeshja e kthimit do të zhvillohet të dielën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë nga ora 17:00.
Këto dy përballje janë vendimtare për rrugëtimin drejt Botërorit 2027, pasi kombëtarja që del më e suksesshme nga dy ndeshjet do të kualifikohet në fazën e tretë dhe të fundit të kualifikimeve, ku e pret përfaqësuesja e Ishujve Faroe.
Kosova ka arritur në këtë fazë pasi në raundin e parë kualifikues regjistroi dy fitore ndaj Britanisë së Madhe. Hendbollistët kosovarë shpresojnë në përkrahje të madhe nga tifozët në ndeshjen e kthimit në Prishtinë, në përpjekje për të arritur një sukses historik.