Ish-presidenti francez sërish në bankën e të akuzuarve, nis gjyq ndaj Nicolas Sarkozy për financimet nga Muammar Gaddafi

- Bota Sot

Ish-presidenti francez sërish në bankën e të akuzuarve, nis gjyq ndaj Nicolas Sarkozy për financimet nga Muammar Gaddafi

Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, pritet të rikthehet në bankën e të akuzuarve për gjyqin në shkallë të dytë që lidhet me financimin e paligjshëm të fushatës së tij presidenciale nga regjimi i Muammar Gaddafi-t në Libi.

Sarkozy, i cili vitin e kaluar u shpall fajtor për komplot kriminal, do të gjykohet në Gjykatën e Apelit për katër akuza. Megjithatë, ish-presidenti francez vazhdon të mohojë çdo akuzë ndaj tij.

Vitin e kaluar, Sarkozy u dënua me pesë vite burg për komplot kriminal në lidhje me një plan për sigurimin e financimit të fushatës së tij zgjedhore nga regjimi i Gaddaf-it. Me këtë vendim, ai u bë ish-udhëheqësi i parë i një shteti të Bashkimit Europian dhe lideri i parë francez i periudhës pas Luftës së Dytë Botërore që vuajti një dënim me burg.

Pas 20 ditësh në një burg në Paris, të cilat i përshkroi si “rraskapitëse” dhe “si një makth”, Sarkozy u lirua në nëntor në pritje të shqyrtimit të apelimit të tij. Ai publikoi gjithashtu një libër ku përshkruan përvojën e tij në burg. Për arsye sigurie, ish-presidenti u mbajt në izolim, në një qeli individuale rreth 9 metra katrorë, me dush dhe tualet privat.

Gjatë gjyqit vitin e kaluar, prokuroria argumentoi se Sarkozy kishte arritur një marrëveshje në vitin 2005, kur ishte ministër i Brendshëm, me liderin libian Muammar Gaddafi, për të marrë financim për fushatën e tij të suksesshme presidenciale të vitit 2007. Në këmbim, ai do të mbështeste qeverinë libiane, e cila në atë kohë ishte e izoluar ndërkombëtarisht.

Vitin e kaluar Sarkozy u shpall fajtor për një akuzë për komplot kriminal lidhur me sigurimin e fondeve elektorale nga Libia. Megjithatë, ai u shpall i pafajshëm për akuzat e korrupsionit, shpërdorimit të burimeve publike libiane dhe financimit të paligjshëm të fushatës zgjedhore.

Në gjyqin e ri në Gjykatën e Apelit, i cili nis të hënën, Sarkozy do të gjykohet sërish për të katër akuzat, pas apelimit që ai vetë bëri kundër dënimit, por edhe apelimit të prokurorisë kundër vendimit të pafajësisë për disa prej tyre. Nëse shpallet fajtor, ish-presidenti 71-vjeçar përballet me një dënim deri në 10 vite burg.

Gjatë gjyqit të parë u dëgjua se, në këmbim të financimit të fushatës së Sarkozit, regjimi libian kërkonte lehtësira diplomatike, ligjore dhe biznesi. Gjithashtu besohej se Sarkozy do të kontribuonte në “rehabilitimin” e imazhit ndërkombëtar të Gaddafit, i cili ishte izoluar për shkak të lidhjeve të regjimit të tij me akte terroriste.

Në total, dhjetë persona përballen me rigjykim në shkallë të dytë për këtë çështje.



Read it all at Bota Sot