Procesi i Prizrenit i vitit 1956 dhe qëndresa e veprimtarëve hasjanë ( pjesa I )

- Gazeta e Prizrenit

Procesi i Prizrenit i vitit 1956 dhe qëndresa e veprimtarëve hasjanë ( pjesa I )

Shkruan: Besim Muhadri

Në historinë politike të Kosovës gjatë periudhës jugosllave, vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar (XX) përbëjnë një nga fazat më të ndjeshme të marrëdhënieve ndërmjet pushtetit shtetëror dhe shoqërisë shqiptare. Në këtë periudhë, regjimi jugosllav synoi të konsolidonte kontrollin politik mbi Kosovën përmes një kombinimi mekanizmash administrativë, policorë dhe gjyqësorë. Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe Procesi i Prizrenit i vitit 1956, një nga gjyqet politike më karakteristike të kohës, i cili synonte të godiste një grup intelektualësh dhe veprimtarësh shqiptarë të akuzuar për “agjitacion dhe propagandë”. (Disa nga të dhënat u morën nga libri Dosja P i Agim Zogajt, si dhe nga kujtesa popullore dhe dëshmitë e vetë protagonistëve, të cilët autori i ka njohur personalisht.)

Ky proces nuk ishte një gjyq penal i zakonshëm. Ai ishte pjesë e një strategjie më të gjerë politike për të frenuar çdo shprehje të vetëdijes kombëtare shqiptare dhe për të neutralizuar individët me ndikim në shoqëri. Drejtësia u përdor si instrument politik për të krijuar një klimë frike dhe për të disiplinuar komunitetin shqiptar.

Arrestimet u kryen gjatë vitit 1956 dhe u pasuan nga një proces gjyqësor që u zhvillua në Prizren. Më 19 korrik 1956, trupi gjykues shpalli vendimin përfundimtar (K.nr. 74/56), me të cilin të gjithë të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgime të rënda, të shoqëruara me kufizime të të drejtave qytetare. Në mesin e të dënuarve ishin disa veprimtarë nga treva e Hasit, që përfaqësonin një shtresë të ndërgjegjshme dhe aktive të shoqërisë shqiptare.

Në arsyetimin e aktakuzës, siç shkruan Agim Zogaj në librin e tij “Dosja P” (Prishtinë, 1998), “në mes tjerash, ky grup rëndohet për spiunazh dhe për veprë kundër shtetit e popullit, pra si të gjithë ‘nacionalistët e irredentistët’ tjerë shqiptarë para dhe shumë vite më pas… Të akuzuarit, Njazi Maloku,  Sedat Dida, Demush Cahani, Shani Hoxha, Ibrahim Moni, Rexhep Muhadri, Hasan Bajrami, Muhamet Emini dhe Sali Mehmeti, vërtet kanë kryer vepër penale të spiunazhit nga nenin 105 i Ligjit penal. Të akuzuarit, nga motivet armiqësore ndaj RSFJ-së dhe me qëllim që t’i krijojnë kushtet për shkëputjen e Kosovës e Metohisë nga RSFJ-ja dhe për bashkimin e saj me Republikën Popullore të Shqipërisë, janë lidhur me shërbimin informativ shqiptar, përmes bandës diversantë-të spiunazhit në vitin 1950, e cila bandë ka kaluar nga Shqipëria në Jugosllavi me detyra të caktuara të shërbimit informativ shqiptar për kryerjen e veprave armiqësore kundër RSFJ-së.”

Figura si Demush Cahani nga Rogova e Hasit, Hasan Bajrami (Muhadri), Rexhep Muhadri, Ibrahim (Brahim) Moni nga Demjani dhe Muhamet Emini nga Kushnini i Hasit, përfaqësojnë një pjesë të kësaj historie të rezistencës morale dhe qytetare. Edhe pse nuk ishin pjesë e një organizimi politik të strukturuar, ata u ndëshkuan për shkak të bindjeve dhe qëndrimeve të tyre, të cilat interpretoheshin nga pushteti si kërcënim politik. Përmes vuajtjeve të tyre, këta individë u shndërruan në simbole të qëndresës, duke dëshmuar se dinjiteti dhe integriteti moral nuk mund të thyheshin lehtë, edhe përballë presionit të pushtetit dhe padrejtësisë sistematike.

vazhdon nesër – pjesa 2:  DEMUSH CAHANI (1893-?) – FIGURË E QËNDRESËS QYTETARE



Read it all at Gazeta e Prizrenit