Pas ndërhyrjeve të pritshme në mesfushë dhe mbrojtje,
Juventus po planifikon të forcojë edhe repartin ofensiv gjatë afatit kalimtar të verës, raportojnë mediat italiane.
Prioriteti i parë mbetet rinovimi i kontratës së Dushan Vllahoviq.
Bisedimet pritet të intensifikohen pas Pashkëve dhe optimizmi në klub është në rritje, por drejtuesit bardhezi nuk po ndalen me kaq dhe po monitorojnë alternativa të tjera në sulm, veçanërisht profile të ngjashme me Kenan Yildiz në krahun e djathtë.
Emri më i nxehtë në listë është ai i Mason Greenwood. Sulmuesi anglez po shkëlqen këtë sezon me Marseille, ku ka regjistruar 25 gola dhe 8 asistime në të gjitha kompeticionet. Juventusi e ka ndjekur edhe në verën e vitit 2024, kur lojtari u largua nga Manchester United për t’u transferuar në Francë.
Situata e tij mund të hapet në fund të sezonit, sidomos nëse Marseille nuk arrin të sigurojë një vend në UEFA Champions League.
Klubi francez mund të detyrohet të shesë 24-vjeçarin, ndërsa kartoni i tij vlerësohet rreth 50 milionë euro, edhe për shkak të përqindjes që i takon Manchester United nga një rishitje e ardhshme.
Konkurrenca për Greenwood mund të jetë më e ulët se zakonisht: një rikthim në Angli mbetet i komplikuar për shkak të çështjeve jashtë fushe në të kaluarën, ndërsa edhe pista arabe duket më pak tërheqëse në kontekstin aktual.
Ndërkohë, në skenë rikthehet edhe ideja e një shkëmbimi të mundshëm me Edon Zhegrova.
Në Marseille vlerësojnë profilin e lojtarit nga Kosova dhe janë të gatshëm të investojnë për rilançimin e tij, pasi e kishin ndjekur që në verën e kaluar para transferimit në Torino.
Afati kalimtar i verës pritet të jetë vendimtare për sulmin e Juventusit, me disa pista të hapura dhe lëvizje që mund të ndryshojnë fytyrën e repartit ofensiv.