Pas barazimit 1:1 në javën e 30-të ndaj Tottenhamit, mesfushori i Liverpoolit, Dominik Szoboszlai, deklaroi para mediave britanike zhgënjimin e tij, sa i takon paraqitjes së ekipit.
“Duhet të zgjohemi sepse nëse vazhdojmë kështu, duhet të jemi të lumtur me një pjesëmarrje në… Ligën e Konferencës”, tha Dominik Szoboszlai, me emocione të forta. Ai shtoi gjithashtu: “Nuk e di pse po ndodh kjo, sinqerisht nuk e di…”.
Me barazimin e marrë, Liverpooli shkoi në kuotën e 49 pikëve në pozicionin e 5-të të renditjes. Ndër të tjera, mesfushori hungarez ka hyrë në historinë e Liverpoolit, duke vendosur një rekord të ri për numrin më të madh të golave nga goditjet e drejtpërdrejta të lira në një sezon në Premier Ligë.
Futbollisti ka shënuar katër gola spektakolarë nga goditjet e lira këtë sezon, duke u bërë një nga specialistët më të rrezikshëm në këtë aspekt. Golat e tij kanë ardhur në përballje të rëndësishme kundër skuadrave të mëdha si Arsenal, Mançester Siti dhe Tottenham Hotspur, ndërsa një tjetër gol e realizoi ndaj Olimpic Marseilles në Ligën e Kampioneve.
Forma e tij e shkëlqyer dhe aftësia për të realizuar nga goditjet e lira kanë qenë një armë e rëndësishme për Liverpool këtë sezon. Tifozët dhe ekspertët tashmë e konsiderojnë Sobozlai si një ”specialist të goditjeve të lira”, falë saktësisë dhe fuqisë së goditjeve të tij.