Banka italiane UniCredit synon blerjen e Commerzbank

- Bota Sot

Banka italiane UniCredit synon blerjen e Commerzbank

 

"Kur të vijë momenti i duhur dhe kur kushtet të jenë të përshtatshme, atëherë do të ndodhë në mënyrën e duhur", tha kreu i UniCredit‑it italian, Andrea Orcel, në fillim të shkurtit në një intervistë për kanalin televiziv CNBC. Aty ai u pyet për blerjen e bankës së dytë më të madhe private të Gjermanisë,  Commerzbank.

Hans-Peter Burghof, profesor në Universitetin e Hohenheim-it, mendon se çështja është e qartë: "Kjo është një betejë për marrjen e Commerbanz nga UniCredit. Bëhet fjalë për shumë para dhe banka UniCredit dëshiron të krijojë përshtypjen se, në fund, ajo do të fitojë sido që të jetë."

Që nga viti 2024, beteja për blerjen e bankës është duke vazhduar dhe tani ajo po hyn në raundin tjetër. Me sa duket, për Orcel tani ka ardhur momenti i duhur, sepse që nga e hëna, 16.03., ai u ka bërë një ofertë aksionarëve të Commerzbank‑ës: Ata duhet të kenë mundësinë ti shkëmbejnë aksionet e tyre me aksione të UniCredit‑it. Që oferta të jetë tërheqëse për aksionarët, ai u premton një rritje prej katër për qind. Megjithatë, kjo duhet të miratohet nga mbledhja e përgjithshme në maj.

A është ky një furzinim me imponim?

"Kjo është forma klasike e një fuzionimi me imponim”, thotë eksperti i bankave Burghof në një bisedë për DW. Sepse deri tani, bordi drejtues i Commerzbank‑ës është shprehur në mënyrë të prerë kundër një fuzionimi. Edhe sindikatat dhe shteti gjerman, i cili ka aksione në Commerzbank, janë kundër blerjes.

As oferta më e fundit nuk e ka ndryshuar këtë qëndrim. "Ne jemi të bindur për forcën dhe potencialin e strategjisë sonë, e cila bazohet në pavarësi dhe rritje fitimprurëse”, tha drejtoresha e Commerzbank‑ës, Bettina Orlopp, si reagim. Edhe një zëdhënës i Ministrisë Federale të Financave konfirmoi: "Qeveria federale mbështet strategjinë e pavarësisë së Commerzbank‑ës.”

Cila është strategjia e UniCredit?

Përpjekjet e UniCredit për marrjen e Commerzbank-ës po zgjasin tashmë prej 18 muajsh – pa asnjë bisedë konkrete. Prandaj, oferta e re është një përpjekje "për të sjellë lëvizje në një situatë të bllokuar”, shkruan Florian Heider, drejtor i Institutit Leibniz të Studime për Tregjet Financiare SAFE, në një përgjigje për DW.

Edhe detaje teknike luajnë një rol. Kompanitë mund të blejnë aksione në një ndërmarrje të listuar në bursë në çfarëdo mase. Por nëse blerësi kalon 30 për qind, ai duhet tu bëjë aksionarëve një ofertë të detyrueshme për blerje.

Aktualisht, UniCredit zotëron pothuajse 30 për qind të aksioneve të Commerzbank‑ës. Me ofertën e tanishme për blerje, ajo po i paraprin kështu një oferte të detyrueshme që me gjasë do të ishte dukshëm më e shtrenjtë.

Përveç kësaj, Commerzbank aktualisht po blen mbrapsht aksionet e veta për të forcuar kursin e aksionit. Këto aksione të riblera më pas tërhiqen nga qarkullimi, duke ulur numrin e përgjithshëm të aksioneve ekzistuese. Kjo ishte vendosur në mbledhjen e përgjithshme të vitit 2025. Kjo do të thotë që UniCredit duhet të shesë vazhdimisht aksione, në mënyrë që të mos e kalojë pragun prej 30 për qind.

Sa bindëse është oferta e Unicredit?

Sipas ekspertëve, oferta me rreth katër për qind shtesë është mjaft e ulët. Prandaj Burghof e quan atë një "ofertë të rreme (Fake-Angebot)”. CEO‑ja i UniCredit‑it, Andrea Orcel, e di që me shumë gjasë nuk do ta arrijë blerjen vetëm me këtë ofertë."Për UniCredit‑in bëhet fjalë vetëm për të shmangur pengesat ligjore nga rruga,” shpjegon Burghof. Megjithatë, disa investitorë do ta pranojnë ofertën. Strategjia është që UniCredit të arrijë me kosto të ulët mbi pragun 30 për qind dhe më pas të blejë aksione të tjera, në mënyrë që të marrë kontrollin afatgjatë të Commerzbank‑ës.

Sipas ekspertit të financave Florian Heider nga SAFE, në proceset e blersjes së kompanive nuk është e pazakontë që "oferta e parë të jetë relativisht e ulët." Kjo është pjesë e dinamikës së negociatave.

Çfarë shpreson të arrijë UniCredit me blerjen?

UniCredit ka tashmë një shtyllë në tregun gjerman përmes HypoVereinsbank‑ës. Me marrjen e Commerzbank‑ës, banka milaneze sheh mundësi në një biznes të kombinuar me klientë privatë dhe me ndërmarrjet e mesme. Sindikatat druajnë se me këtë blerje mund të rrezikohen rreth 10.000 vende pune.

Argumenti kryesor i CEO‑s së UniCredit, Andrea Orcel, është se Evropa ka nevojë për banka më të mëdha për të konkurruar me institucionet e fuqishme financiare të SHBA‑së. Por profesori Hans‑Peter Burghof kundërshton: "Po të donte vërtet UniCredit të krijonte një bankë të madhe evropiane, ajo mund ta kishte arritur këtë edhe me marrjen e HypoVereinsbank‑ës.” Në vend të kësaj, sipas tij, banka italiane e ka zvogëluar institucionin gjerman dhe është fokusuar vetëm te maksimalizimi i fitimit.

Ai prandaj supozon se, me marrjen e Commerzbank‑ës, bëhet kryesisht fjalë për "forcimin e pozitës së vet konkurruese duke blerë një konkurrent.” Nga ana tjetër edhe Frankfurti si qendër financiare do të vuante pasojën, që në sektorin e bankave private, përveç Deutsche Bank‑ës, do të ekzistonin kryesisht vetëm degë të bankave të huaja.

Ndërsa Florian Heider nga SAFE, nga një perspektivë ekonomike, sheh shumë arsye që flasin pro një konsolidimi në sektorin bankar evropian. "Sido që të jetë, në një treg evropian të integruar nuk duhet të ketë rëndësi nëse një kredi jepet nga një bankë gjermane apo italiane.” Një institut panevropian madje mund ta forconte edhe më shumë qendrën financiare të Frankfurtit.

"Të dyja palët ende besojnë se mund të fitojnë, dhe është plotësisht e hapur se kush do të dalë fitues,” thotë Burghof. Megjithatë, me ofertën e saj të blerjes, UniCredit tashmë ka arritur që çështja sërish të jetë prezente në politikë dhe media. / DW



Read it all at Bota Sot