Leao e kaloi limitin, Milani tani shqyrton oferta për portugezin

- Bota Sot

Leao e kaloi limitin, Milani tani shqyrton oferta për portugezin

Rafael Leao nuk është më ai që ishte. Versioni i ri i sulmuesit portugez është një lojtar që sakrifikohet në një rol jo natyral dhe zbret në fushë edhe kur nuk është në formën më të mirë: mbi të gjitha vjen skuadra.

Rafa ka hequr dorë nga hapësirat që dikur gjente në krahun e majtë, për të kërkuar centimetra brenda zonës. Nuk është më një anësor shpërthyes, por një qendërsulmues që mund të luajë me ritëm të ndryshëm, për sa kohë arrin në momentin e duhur te topi. Në idetë fillestare të Masimiliano Alegri, ai dhe Kristian Pulisiç duhej të shfrytëzonin kundërsulmet e shpejta, duke mos u dhënë pika referimi mbrojtësve kundërshtarë.

Në praktikë, gjithçka është treguar më e ndërlikuar: Pulisiç duket se i ka shteruar golat që në fund të dhjetorit, ndërsa Leao nuk shënon prej dy ndeshjesh dhe në transfertën ndaj SS Lacio bëri një hap tjetër pas – asnjë tentativë në portë.

PA GJOBA, POR SHUMË ZHGËNJIM – Kjo ishte arsyeja e frustrimit të Leaos në “Olimpico”, kur doli nga fusha me hap të ngadaltë dhe me humor të zi. Ai shmangu edhe përpjekjen pajtuese të Majk Menja dhe përqafimin e trajnerit. Skena nuk ishte nga më të bukurat, por pozitiv mbetet fakti që Rafa donte të qëndronte në fushë për të ndihmuar ekipin. Për këtë arsye, klubi nuk ka marrë masa ndëshkuese. Nuk parashikohen gjoba për lojtarët që largohen të zemëruar për shkak të rezultatit dhe mungesës së kontributit.

PREMIER LEAGUE DHE ARABIA NË HORIZONT – Problemi kryesor mbetet mungesa e golave. Që nga dopieta ndaj Kremonezes, kontributi i Leaos në finalizim ka rënë ndjeshëm. Deri tani ai ka realizuar nëntë gola në kampionat, shumë pak për një lojtar që konsiderohet ylli i skuadrës dhe më i paguari në grup. Vështirë që Alegri të ndryshojë skemën për të, duke këmbëngulur te dy sulmues qendrorë. Për këtë arsye, por edhe për një vlerësim të përgjithshëm të karrierës së tij te Milani, vendimtar në titullin e vitit 2022, por më pak në vazhdim, klubi është i gatshëm të shqyrtojë ofertat për kartonin e tij.

Një rinovim i mundshëm deri në vitin 2030 nuk e përjashton largimin. Pyetja është: kush mund ta përballojë një operacion të tillë? Leao ka një klauzolë prej 170 milionë eurosh, shumë larg vlerës reale aktuale. Një marrëveshje mund të arrihet për rreth 80 milionë euro, me interes nga Premier League dhe Arabia Saudite. Paga e tij është 5.5 milionë euro plus bonuse. Agjenti Xhovani Brankini u shpreh: “Situatat brenda klubit janë komplekse. Leao është një aset i rëndësishëm. Këtë sezon nuk po jep maksimumin, kjo është e dukshme. Megjithatë mbetet një lojtar i rëndësishëm dhe duhet mbrojtur deri në fund, siç bëri Alegri”.

ALTERNATIVA: PROFILI I RI QË PËLQEHET – Nëse Leao largohet, Milani po vëzhgon alternativa. Një emër konkret është Antonio Nusa, 20 vjeç, me potencial të madh dhe ende i përballueshëm financiarisht. Italianët e kujtojnë për paraqitjet me Norvegjinë, ku shkëlqeu kundër Italisë. Aktualisht te Lajpcig, ai ka shënuar 3 gola në 27 ndeshje. Nëse klubi gjerman mbetet jashtë Champions-it, mund të jetë i detyruar ta shesë talentin e tij për rreth 35 milionë euro. Milani po ndjek me vëmendje situatën, sepse e ardhmja e Leaos, tashmë, nuk është më e sigurt.



Read it all at Bota Sot