Roberto Martínez lë të hapur të ardhmen te Portugalia

- Bota Sot

Roberto Martínez lë të hapur të ardhmen te Portugalia

Trajneri i Portugalisë, Roberto Martínez, ka folur për të ardhmen e tij në krye të përfaqësueses portugeze, duke theksuar se çdo vendim për vazhdimësinë do të merret vetëm pas Kupës së Botës 2026, turne që përkon edhe me fundin e kontratës së tij.

Në një intervistë për disa media portugeze, tekniku spanjoll u shpreh qartë se fokusi aktual është totalisht te Botërori: “E ardhmja e trajnerit nuk është e rëndësishme tani.

Ajo që ka rëndësi është Botërori. Nuk mund të presë, ndërsa për të ardhmen mund të flitet pas tij. Unë, federata dhe presidenti jemi në një linjë – objektivi është përgatitja sa më e mirë për këtë kompeticion”.

I pyetur nëse ka diskutuar për këtë çështje me presidentin e federatës, Pedro Proença, Martínez nuk dha një përgjigje konkrete, por theksoi unitetin brenda institucionit: “Nuk është një temë tabu, por tani jemi të gjithë të përqendruar te i njëjti qëllim: të përgatisim ekipin për Botërorin dhe të japim maksimumin”.

Trajneri foli edhe për Cristiano Ronaldon dhe diskutimet rreth objektivit të tij për të arritur 1000 gola në karrierë. Sipas Martínez, kapiteni nuk është i fiksuar pas këtij rekordi:

“Nuk e shoh me ankth për të arritur shifrën 1000. Përkundrazi, ai merr vendimet e duhura në fushë, shpesh zgjedh asistin në vend të goditjes. Kjo është shumë e rëndësishme për ekipin”.

Në fund, trajneri vlerësoi progresin e skuadrës dhe theksoi se stabiliteti afatgjatë në futboll është gjithnjë e më i rrallë: “Jam shumë krenar që drejtoj Portugalinë. Është një moment i rëndësishëm në jetën dhe karrierën time. Por sot është e rrallë të qëndrosh për shumë vite në të njëjtin post. Ajo që ka rëndësi është se skuadra po rritet dhe po shkon drejt një momenti ideal për Botërorin”.



Read it all at Bota Sot