Futbollisti i ekipit nga Sanxhaku, KF Novi Pazari dhe anëtar i kombëtares së Malit të Zi, Driton Camaj, foli rreth origjinës së tij.
“Një histori interesante e ka një futbollist që luan për Novi Pazarin, i cili ka origjinë shqiptare dhe luan për Malin e Zi. Ai e mori këtë vendim për shkak të rritjes në Mal të Zi, familjes dhe miqve të tij. Ëndrra e tij për të luajtur për ekipin kombëtar u bë realitet”, shkruan mediumi serb “Sportal’.
“Unë jam shqiptar që kam lindur në Mal të Zi, qëndruam në Mal të Zi për të jetuar, por jemi shqiptarë me origjinë.
Sa i përket ekipit kombëtar, vendosa të luaj për Malin e Zi sepse kam lindur atje, Mali i Zi më dha gjithçka.
Kam familje dhe miq. Dhe sa herë që jam në pushim, mezi pres të kthehem në Mal të Zi.
Të luaj për ekipin kombëtar është gjëja më e bukur që kam përjetuar në karrierën time.
Diçka që e kam ëndërruar që fëmijë, ndërsa e shikoja si tifoz.
Dhe sinqerisht, nuk mund të përshkruhet me fjalë, ajo ndjenjë kur dola për herë të parë në Podgoricë me fanellën e Malit të Zi”, tha Camaj i cili po kalon formë të jashtëzakonshme dhe është si motor i ekipit nga Sanxhaku.