Sot Dita Ndërkombëtare e Pyjeve

- Bota Sot

Sot Dita Ndërkombëtare e Pyjeve

Dita Ndërkombëtare e Pyjeve është shënuar për herë të parë më 21 mars 2013 me rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kjo ditë synon rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve, dhe pemëve jashtë pyjeve, për të mirën e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm.

Vendet inkurajohen të ndërmarrin përpjekje për të organizuar aktivitete lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare që përfshijnë pyje dhe pemë, të tilla si fushatat e mbjelljes së pemëve.

Dita Ndërkombëtare e Pyjeve shënohet duke theksuar rëndësinë e këtyre ekosistemeve shkatërrimi i të cilave rrezikon shëndetin e njeriut dhe shëndetin e planetit tonë.

Ndikimet e faktorit njeri kanë shkaktuar tashmë humbjen e rreth 40% të pyjeve në botë dhe kërkesa globale për produkte nga druri pritet të trefishohet gjatë tre dekadave të ardhshme.

Sipërfaqja pyjore në Kosovë është rreth 481 000 ha ose 44.7% e sipërfaqes totale. Sipas ligjit për pyjet, pyjet e Kosovës janë resurse kombëtare, do të udhëhiqen në atë mënyrë që të ofrojnë rendimente me vlerë dhe në të njëjtën kohë të ruhet biodiversiteti për të mirën e gjeneratave të tashme dhe të ardhshme. Mbrojtja e pyjeve të Kosovës, ende mbetet në nivel jo të duhur.

Sipas disa hulumtimeve, niveli i shfrytëzimit të pyjeve dhe nevojave për dru zjarri është më e lartë se sa rritja vjetore e tyre. Në bazë të Inventarizimit të Pyjeve të Kosovës, rritja vjetore e pyjeve është rreth 1.5 milion metër kub, kurse prerja e lejuar është rreth 1.4 milion metër kub, ndërsa sipas disa hulumtimeve, shfrytëzimi i drurit për ngrohje arrin në rreth 2 milion metër kub.

Kjo na paraqet një tej-shfrytëzim të pyjeve nga mundësia e rritjes vjetore. Prerjet e kontrolluara dhe planifikuara nga institucionet përgjegjëse janë në nivel shumë të ulët krahasuar me kërkesat vjetore të popullatës. Mbi 80% e masës drusore konsiderohet se prehet në mënyrë jo të rregullt.



Read it all at Bota Sot