Josa mban pezull formacionin

- Bota Sot

Josa mban pezull formacionin

Bylisi ka mbyllur përgatitjet për sfidën e rëndësishme ndaj Flamurtari, një duel direkt për mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar. Mallakastriotët zbresin sot në fushë në një takim sa delikat, aq edhe vendimtar për fatet e sezonit.

Pas disfatës ndaj Tiranës, skuadra e drejtuar nga Mirel Josa synon rikthimin te fitorja dhe marrjen e tri pikëve jetike. Në Ballsh, atmosfera është serioze dhe e përqendruar, me të gjithë lojtarët të grumbulluar dhe në dispozicion të stafit teknik.

Një lajm pozitiv për Bylisin është edhe grumbullimi me ekipin U-21 i dy lojtarëve që kanë spikatur këtë sezon, kapiteni Aurel Marku dhe mbrojtësi Fabjan Përndreca, të cilët kanë qenë ndër më të mirët në radhët e mallakastriotëve. Në një prononcim për “Panorama Sport”, kapiteni Marku u shpreh i zhgënjyer për humbjen e fundit, por optimist për sfidën e radhës.

“Na vjen keq për humbjen ndaj Tiranës, pasi ishte një ndeshje ku kishim mundësi ta mbyllnim që në pjesën e parë. Pësuam një gol më shumë nga gabimi ynë sesa nga merita e kundërshtarit.

Prej së hënës jemi përqendruar te Flamurtari, që është një rival i fortë. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe duam të japim maksimumin për ta fituar. Do të bëjmë gjithçka për t’i kënaqur tifozët tanë dhe për të dalë me kokën lart nga fusha”, tha Marku

. Mbrojtësi theksoi gjithashtu se skuadra e di rëndësinë e kësaj përballjeje dhe është e gatshme për sakrificë, duke paralajmëruar se fusha e Ballshit nuk do të jetë aspak e lehtë për kundërshtarët.

JOSA MBAN ENIGMË FORMACIONIN Trajneri Josa ende nuk e ka vendosur plotësisht formacionin titullar për këtë sfidë. Pas humbjes së fundit, priten disa ndryshime në të tre repartet, megjithëse vendimi final do të merret vetëm pak para nisjes së ndeshjes.

Konkurrenca në skuadër është rritur ndjeshëm, jo vetëm për një vend në formacionin bazë, por edhe për listën e 20 lojtarëve të grumbulluar, çka i jep trajnerit më shumë alternativa.



Read it all at Bota Sot