Partizani zbret ditën e sotme në fushë, teksa udhëton drejt Durrësit për t’u përballur me vendasit e Teutës, një ndeshje kjo që do të startojë nga ora 18:00 në stadiumin “Niko Dovana”.
Në këtë sfidë, të kuqtë do të vuajnë mungesën e Arafat Dumbia, me mesfushorin që u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Vorës, ndërsa edhe trajneri Oltijon Kërnaja do ta ndjekë këtë ndeshje nga tribuna, pasi ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë.
Ndërkohë, për Partizanin mbeten dilemat mbi aktivizimin e Isgandarlit apo edhe Skukës, teksa dyshja mungoi edhe ndaj Vorës.
Pjesa tjetër është e gatshme, teksa si zakonisht mes shtyllave do të konfirmohet Qirko, ndërsa para tij në mbrojtje do të jenë Martinez, Sembene, Bytyçi e Atanaskoski. Në mesfushë pritet të rreshtohen Ismaili, Hjuman e Murataj, ndërsa edhe Qaka nuk është në më të mirën e tij në aspektin fizik.
Në sulm pritet të startojë Shabani në krahun e majtë, ndërsa djathtas Sidibe si zakonisht, me qendrën që mbetet për t’u vendosur deri në fund, por Toma mund të jetë sërish zgjedhja e parë, ashtu si në ndeshjen me Vorën.