Taulant Seferi nuk është ftuar përsëri nga Sylvinho në Kombëtaren shqiptare.
Pavarësisht 15 golave dhe 8 asisteve në Ligën e Parë turke me Bodrumspor, tekniku brazilian s’e ka preferuar që në ndeshjet e “play-off” të ketë shërbimet e tij.
Edhe për këtë, sigurisht që Sylvinho “theu heshtjen”, duke treguar qartë planet e tij për duelin ndaj Polonisë.
Në fjalën e tij, trajneri i Kombëtares tha se në mbrojtje dhe në mesfushë jemi të kompletuar, teksa duhen lojtarë që sulmojnë zonën dhe krijon rrezikshmëri në 16 metrat e fundit.
Kjo tregon qartë, se Seferi nuk e ka marrë këtë herë ftesën, për shkak se pavarësisht rolit ofensiv, karakteristikat e tij bëjnë që të kthehet edhe mbrapa, për të ndihmuar ekipin.
Por në Varshavë, Sylvinho “paralajmëroi” në një farë mënyre “all-in” në sulm, duke parë që edhe mbrojtja kundërshtare nuk është në momentin më të mirë të saj.
“Seferi? Ne kemi 26, nuk mund t’i kemi të gjithë, nëse marr Seferin mbetet jashtë një tjetër.
Përse morë këtë e jo atë? Ndodh, e kam lexuar. Sipas meje jemi të mbuluar në mesfushë në mbrojtje.
Ne duhet të mendojmë si të sjellim ekipin më afër zonës kundërshtare, se ke nevojë të shënosh, sepse nëse nuk shënon nuk shkon para”, tha ndër të tjera braziliani.