Chivu: Interi nuk duhet të mendojë për gabimet e të tjerëve

- Bota Sot

Chivu: Interi nuk duhet të mendojë për gabimet e të tjerëve

Trajneri i Interit, Cristian Chivu, këmbëngul se “gjithçka është ende e mundur” në garën për titull në Serie A: “Nuk duhet të mendojmë për gabimet e të tjerëve, sepse janë jashtë kontrollit tonë.”

Interi do të përballet me Fiorentina në “Stadio Artemio Franchi”.

Skuadra do të udhëtojë pa të dëmtuarin Alessandro Bastoni, i cili është gjithashtu në dyshim për gjysmëfinalen e “play-offit” të Kupës së Botës me kombëtaren e Italisë kundër Irlandës së Veriut.

Megjithatë, Chivu konfirmoi se Bastoni do t’i bashkohet kombëtares për t’u vlerësuar nga mjekët.

Pas barazimit të diskutueshëm 1-1 kundër Atalantës, as Chivu dhe as lojtarët e Interit nuk folën për mediat.

“Ishte një vendim i përbashkët pas asaj që ndodhi në fushë. Unë preferoj të flas gjithmonë për futboll dhe jo të fokusohem te gjëra që krijojnë justifikime,” tha ai.

“Bëmë disa gabime nga ana teknike dhe taktike në atë ndeshje. Kemi analizuar çfarë mund të bënim më mirë. Nuk duhet të mendojmë për gabimet e të tjerëve, sepse nuk janë në dorën tonë.”

Ndërkohë, Napoli fitoi ndaj Cagliarit dhe është afruar në gjashtë pikë nga Interi, edhe pse zikaltërit kanë një ndeshje më pak.

“Futbolli është presion. Sezoni është ende i gjatë dhe gjithçka është e mundur,” u përgjigj Chivu, i cili do të mungojë në pankinë për këtë ndeshje për shkak të një pezullimi.

“Në lojë janë edhe 27 pikë dhe në epokën e tri pikëve, gjithçka mund të ndodhë. Ne duhet të fokusohemi te vetja jonë dhe të vazhdojmë me të njëjtin nivel konkurrueshmërie.”

Sa i përket mungesave, Lautaro Martinez do të mungojë për shkak dëmtimi, ndërsa Ange-Yoan Bonny ka probleme dentare dhe Marcus Thuram ka më shumë se një muaj pa shënuar në Serie A.

“Ai (Thuram), si të gjithë të tjerët, mund të bëjë më mirë dhe është i vetëdijshëm për këtë,” tha Chivu.

“Po punojnë çdo ditë për të arritur nivelin e ekipit. Tani çdo ndeshje është si një finale dhe secili duhet të marrë përgjegjësi për të dhënë maksimumin.”

Ai shtoi se gjatë sezonit është normale të ketë periudha më të dobëta, por theksoi rëndësinë e vazhdimësisë dhe përmirësimit:

“Duhet të shohim edhe çfarë kemi arritur. E dimë ku duhet të përmirësohemi në energji dhe ambicie. Askush nuk të jep asgjë falas – duhet ta marrësh vetë në fushë”.



Read it all at Bota Sot