Mesfushori ofenziv i Shkëndijës nga Tetova, Endrit Krasniqi, shënoi golin ndaj Makedonija Gj.P. i cili na solli tre pikë të reja në luftën për titullin kampion në LPFMV.
Shkëndija koleksionon triumfin numër 18-të në 24 ndeshje kampionale, pasi sot fituam 1:0 Makedonija Gj.P. në Shkup.
Kështu, kuqezinjtë tanë barazohen me Vardarin me nga 58 pikë në kreun e renditjes tabelare në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Endrit Krasniqi realizoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 53-të, që në fund rezultoi vendimtar për epilogun e takimit.
Për Krasniqin ky ishte goli numër 5, krahas 7 asisteve në këtë kampanjë.
“Mendoj se ngarkesa dhe ndeshjet e shumta që kemi pasur kohëve të fundit kanë ndikuar që ndoshta mos të jemi në lartësinë e duhur, sepse edhe lodhja e bën të veten.
Mirëpo me rëndësi është se pikët kanë mbetur në konton tonë. Tani më jemi në krye me pikë të barabarta dhe vazhdojmë tutje edhe më fuqishëm”, deklaroi pas ndeshjes Endrit Krasniqi, i cili potencon se kuqezinjtë këtë sezon kanë shënuar suksese historike që përveç klubit, kanë nderuar edhe gjithë futbollin dhe vendin në përgjithësi në skenën ndërkombëtare.
“Shkëndija këtë vit ka bërë histori dhe i gjithë shteti i Maqedonisë së Veriut duhet të krenohet me këtë sukses. Në kampionat vitin e kaluar kemi lëshuar disa pikë që s’është dashur t’i linim, por falë serisë së mirë kemi rikuperuar gjithçka dhe tashmë jemi me zero diferencë, kemi pikë të barabarta në tabelë, tashmë vazhdojmë garën dhe deri në fund do të shohim cili ekip është më i fortë për të dalë kampion”, shtoi Krasniqi, i cili nuk ka fare dyshime për skuadrën që mban epitetin numër 1 në vend.
“Nuk diskutohet se më e fortë është Shkëndija dhe unë besoj se ne do ta fitojmë titullin”, përfundoi ‘prishtinalia’ i Shkëndijës, Endrit Krasniqi.