Autoritetet britanike po përballen me një shpërthim të sëmundjes së meningjitit në jug të Anglisë. Agjencia britanike për Shëndetin UKHSA njoftoi se është shtuar numri i infeksioneve me meningokokë të nën-grupit B. Deri tani janë konfirmuar 13 raste. Numri i përgjithshëm i infeksioneve me meningokokë të regjistruara është 18, ndërsa ekzistojnë edhe 11 raste të dyshuar.
Ditët e fundit në rajonin e prekur kanë humbur jetën nga meningjiti dy të rinj, një nxënëse 18-vjeçare dhe një student i "University of Kentit".
Një shpërthim shumë i pazakontë
Meningokoku B është një bakterie që mund të shkaktojë inflamacion të rëndë të cipave të trurit (meningjit) dhe helmim të gjakut. Sëmundja mund të përparojë shumë shpejt. "Ky është një shpërthim shumë i pazakontë”, tha Robin May, drejtor shkencor i Agjencisë Britanike, për BBC.
Sipas udhëzimeve për meningjitin tëOrganizatës Botërore të Shëndetësisë(OBSH), në rast dyshimi klinik për infeksion me meningokok, duhet të fillohet menjëherë trajtimi me antibiotikë.
Bakteret përhapen përmes spërkave gjatë kollitjeve, teshtitjeve apo puthjeve. Shenjat e para të infeksionit shpesh janë të ngjashme me gripin: ethe, dhimbje koke, të përziera, të dridhura dhe lodhje. Në raste të rënda infeksioni mund të çojë në shok septik, dështim të organeve dhe dëmtime të trurit. / DW