Portieri i Kosovës, Arijanet Muriç, ka zbuluar se ndihej “i sigurt” përballë penalltisë së Manuel Locatellit dhe theksoi se pati edhe një pritje “shumë më të vështirë”, për të siguruar barazimin 1:1 të Sassuolo ndaj Juventusi.
Ishte një mbrëmje dramatike në Torino, edhe për shkak të rrethanave para ndeshjes, pasi Sassuolo kishte mungesa të shumta.
Katër lojtarë ishin të lënduar, ndërsa Matiq, Thorstvedt, Coulibaly dhe Turati mbetën jashtë skuadrës pasi shfaqën simptoma.
Megjithatë, Sassuolo u rikthye në lojë pas golit të Yıldız, duke barazuar me Pinamonti. Në fund të takimit, Muriç priti penalltinë e Locatellit, duke shpëtuar ekipin nga humbja.
“Mendoj se skuadra bëri shumë mirë. Gjithçka ka të bëjë me energjinë dhe e kishim atë në nivelin e duhur.
Krijuam shumë raste dhe besoj se e merituam të ktheheshim në shtëpi me një pikë,” deklaroi Muriç për “Sky Sport Italia”.
Juventusi tashmë ka dështuar të shënojë tri penallti radhazi në Serie A, pas gabimeve të Kenan Yıldız dhe Jonathan David. Por çfarë mendoi Muriç kur Locatelli u përgatit për goditjen?
“Ishte një ndjenjë. Në momentin që ai e goditi topin, mendova se do ta prisja. Ndihesha shumë i sigurt.
Goditja me kokë nga Milik ishte shumë më e vështirë, por arrita ta ndal edhe atë, kështu që ishte një ditë e shkëlqyer për mua,” përfundoi Muriç.