Pas një mungese të gjatë që zgjati afro tre vite, Anis Mehmeti rikthehet në Kombëtaren shqiptare, këtë herë jo si një eksperiment, por si një lojtar që e ka fituar vendin me performancë dhe vazhdimësi.
Herën e fundit që ai veshi fanellën kuqezi ishte në mars të vitit 2023, kur trajneri Sylvinho i dha hapësira në tre ndeshje. Pas paraqitjes së tij të fundit kundër Ishujve Faroe, ku u aktivizua për pak minuta, Mehmeti u la jashtë planeve për një periudhë të gjatë.
Sot situata ka ndryshuar ndjeshëm. Problemet në repartin ofensiv, dëmtimet e Mirlind Daku dhe Rey Manaj, si dhe forma e paqëndrueshme e Armando Brojës, kanë hapur derën për rikthimin e një lojtari që po kalon momentin më të mirë të karrierës.
25-vjeçari nuk është më ai talenti në pritje të shpërthimit. Transferimi nga Bristol City te Ipsëich Toën dhe perspektiva për të qenë pjesë e Premier League sezonin e ardhshëm, flasin për një rritje të qartë profesionale.
Statistikat e tij janë dëshmi e formës së shkëlqyer: 11 gola këtë sezon, të shoqëruara edhe me 8 asiste. Por përtej shifrave, Mehmeti po spikat për mënyrën si interpreton lojën, i shpejtë, teknik dhe vendimtar në momentet e rëndësishme.