Ballafaqimi mes Vjosës së Shtimes dhe liderit të Ligës së Parë të Kosovës në futboll, Vushtrrisë, ka përfunduar baras (1:1).
Cila është arsyeja që Vjosa i reagon kryetrajnerit të Vushtrrisë, Armend Dallkut?
“Reagim publik ndaj trajnerit Armend Dallku!
Pas një mikpritjeje shumë të mirë nga KF Vjosa ndaj tifozëve të Vushtrrisë dhe një loje të zhvilluar në frymë sportive në fushë, është për keqardhje sjellja e trajnerit Armend Dallku.
Gjatë ndeshjes, ai ka nxitur tifozët me fjalë të papërshtatshme dhe fyese ndaj referëve, trajnerit tonë dhe kryesisë sonë. Të gjitha këto ofendime janë bërë në prani të referëve, por për fat të keq nuk është ndëshkuar me karton të kuq.
Për më tepër, kjo sjellje ka ndikuar që tifozët e Vushtrrisë të tensionohen dhe të sulmojnë tifozët tanë, duke shkaktuar lëndime serioze te disa nga shikuesit tanë, si dhe duke dëmtuar veturat e pranishme.
Kjo është krejtësisht e papranueshme dhe nuk përfaqëson frymën e vërtetë të futbollit.
KF Vjosa gjithmonë është treguar mikpritëse dhe ka respektuar kundërshtarin, por veprime të tilla e dëmtojnë rëndë sportin dhe atmosferën që duhet të mbretërojë në futboll.
Futbolli duhet të fitohet me lojë të ndershme (fair-play), e jo me fyerje dhe nxitje të dhunës.
Andaj, i bëjmë thirrje Komisionit Disiplinor që të marrë masa ndaj këtij trajneri, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen:, reagon Vjosa.