Lideri i Ligës së Parë të Kosovës në futboll, Vushtrria, ka reaguar në lidhje me ndeshjen në Shtime ndaj Vjosë së Shtimes.
Sipas tyre, janë provokuar dhe nuk e kanë pritur për faktin se kanë pasur gjithmonë marrëdhënie të mira.
“FC Vushtrria reagon ndaj ngjarjeve të ndodhura sot në Shtime, në ndeshjen kundër FC Vjosa!
Klubi ynë, si kampion vjeshtor i ligës dhe në rrugë të mbarë për ta përmbyllur kampionatin me rikthim në Superligë, po përballet me vështirësi të panevojshme që nuk duhet të kenë vend në futbollin tonë.
Tensionimi i situatës në ndeshjen e sotme erdhi si pasojë e një organizimi të dobët nga ana e nikoqirit, si dhe nga gabimet e njëpasnjëshme të gjyqtarëve, të cilat ndikuan drejtpërdrejt në rrjedhën e lojës.
Në ditët në vijim, FC Vushtrria do të publikojë video-materiale që dëshmojnë dëmtimin e rëndë të skuadrës sonë, përfshirë një penallti të pastër të mohuar dhe një karton të kuq të padhënë për kundërshtarin.
Ne kemi besuar se kemi ndërtuar marrëdhënie korrekte me FC Vjosa, çka dëshmohet edhe me faktin se, në fillim të këtij sezoni, kemi huazuar pa asnjë hezitim lojtarin tonë, Festim Haxhiu. I njëjti, sipas marrëveshjes së huazimit, me pajtueshmëri të plotë, nuk është dashur të paraqitet sot fare në lojë, por as kjo marrëveshje nuk u respektua.
Megjithatë, ajo që ndodhi sot në fushë ishte e papranueshme.
Skuadra jonë dhe stafi teknik, përfshirë trajnerin Armend Dallku, janë përballur gjatë gjithë ndeshjes me provokime dhe sulme verbale nga stafi teknik i FC Vjosa, për çka posedojmë fakte dhe do t’i bëjmë publike në ditët në vijim.
FC Vushtrria qëndron fuqishëm në mbrojtje të skuadrës dhe trajnerit të saj, Armend Dallku, duke dënuar çdo përpjekje për të njollosur punën dhe angazhimin profesional të tyre.
FC Vushtrria mbetet e përkushtuar ndaj garës së ndershme dhe do të vazhdojë rrugëtimin e saj me dinjitet drejt objektivave të vendosura”, ka reaguar Vushtrria.