Ja ku po qëndrojnë sllovakët para sfidës me Kosovën, Duda përmend një lojtar të kombëtares tonë

- Bota Sot

Ja ku po qëndrojnë sllovakët para sfidës me Kosovën, Duda përmend një lojtar të kombëtares tonë

Kosova është në emocione të ndeshjes së madhe të play-off-it, për një biletë në Kampionatin Botëror në futboll.

Në Sllovaki nuk ka qetësi, i druhen shumë Kosovës.

‘Edhe katër net gjumë kanë mbetur deri në ditën që mund ta afrojë kombëtaren e Sllovakisë drejt ëndrrës së Kupës së Botës, që këtë verë zhvillohet në Amerikë.

Për këtë arsye, kombëtarja e Sllovakisë është grumbulluar tradicionalisht që nga e diela në hotelin në Senec”, shkruan në faqen e Federatës së Futbollit të Sllovakisë,

“Në program janë dy ndeshje: më 26 mars në ora 20:45 në play-off të Kupës së Botës kundër Kosovës, ndërsa më pas, varësisht nga rezultati, të martën më 31 mars në ora 20:45 kundër njërës nga përballjet Turqi – Rumani”, shkruan më tej.

“Në total, 19 lojtarë janë bashkuar tashmë me trajnerin Francesco Calzona, ndërsa tetë të tjerë – Bero, Kapralik, L. Sauer, Durish, Suslov, Tupta, Takac dhe Hancko – pritet të arrijnë të hënën, në mënyrë që të jenë gati për stërvitjen e parë të javës së 13-të të vitit 2026.

Detyrimet me mediat i përmbushën që në fillim tre futbollistë të përzgjedhur, veterani Ondrej Duda, debutuesi Dávid Krçík dhe rikthyesi Martin Valjent. Secili prej tyre dha përgjigje interesante për gazetarët”, shkruan faqja sllovake.

Duda përfitoi nga fakti se skuadra e tij Al-Ettifaq kishte zhvilluar ndeshjen e fundit dhjetë ditë më parë, ndaj udhëtoi në Sllovaki dhe u përgatit me ekipin e FC Koshicec, së bashku me një trajner të përgatitjes fizike.

Ai nuk mund t’i shmangej as temës së konfliktit të armatosur në rajonin ku aktualisht luan, duke thënë se për disa ditë mendja e tij kishte qenë diku tjetër, por ndeshja me Kosovën ishte tema kryesore e deklarimeve të tij.

“Falë Zotit jemi në play-off, shumë skuadra donin të ishin këtu dhe nuk ia dolën,” theksoi mesfushori me përvojë.

Ai foli edhe për bashkëlojtarin e tij Milan Shkriniar:

“Ai është kapiteni ynë, një lojtar me përvojë, do të luante edhe pa një këmbë. Besoj se do të jetë në dispozicion”.

Sipas Dudës, çelësi i suksesit dhe i një rezultati të mirë është bashkimi i skuadrës:

“Duhet të qëndrojmë të bashkuar.

Edhe kundër Gjermanisë na mungonin disa lojtarë, por luajtëm si ekip dhe treguam se mund të bëjmë shumë së bashku”.

Ai theksoi edhe një tjetër avantazh:

“Ne luajmë në shtëpi! Ambienti vendas do të na ndihmojë”.

Duda, i cili ka përvojë të madhe në futbollin evropian, përmendi se te Kolni në Gjermani kishte luajtur me njërin nga futbollistët e Kosovës, mesfushorin Elvis Rexhbeçaj.

“Ata kanë shumë lojtarë që luajnë në pesë ligat më të forta evropiane. Kanë dashur të përfaqësojnë vendin e tyre dhe janë shumë të motivuar,” tha ai.
 



Read it all at Bota Sot