I fundit në tabelën e elitës së futbollit të Kosovës, Prishtina e Re, ka reaguar ndaj gjyqtarit Mervan Bejtullahut, për ndeshjen e sotme në Klinë ndaj Dukagjinit, ku barazuan me rezultat 1:1.
“Sot nuk u përballëm vetëm me KF Dukagjinin.
Sot u përballëm me Mervan Bejtullahun me shokë.
Brenda javës, në një periudhë shumë të shkurtër kohore, ky është episodi i dytë që cenon seriozisht garën dhe besueshmërinë e saj.
Edhe një herë u përballëm me vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes
Jemi thellësisht të indinjuar me tendencën për të shkatërruar garën sportive.
Në minutën 6 nuk ndëshkohet me karton lojtari me numrin 2 i KF Dukagjinit, pavarësisht ndërhyrjes (shkeljes) ndaj Lorik Dobratiqit.
Në minutën 11 nuk akordohet karton i kuq, sipas rregullores së IFAB, për lojtarin me numrin 2 të KF Dukagjinit, i cili mohon një rast të pastër shënimi.
Në minutën 78 nuk akordohet penallti për ndërhyrjen ndaj Rion Rushitit.
Gjersa për ta kompletuar me sukses misionin anti Prishtina e Re, mohohet një tjetër rast i pastër shënimi pas ndërhyrjes ndaj Florijan Kadriut nga kapiteni i Dukagjinit, pa u ndëshkuar me karton të kuq.
Përveç këtyre rasteve flagrante, ndeshja u karakterizua nga ndërprerje të panevojshme, kartona të pajustifikuar dhe një sërë vendimesh kontraverse që deformuan rrjedhën e lojës dhe sot në Klinë kishte gjithçka përveç futbollit në të cilin triumfohet me djersë.
Këto janë vendime që krijojnë precedent të rrezikshëm për garën.
Nëse këto raste kalojnë pa përgjegjësi dhe pa reagim institucional, atëherë nuk është vetëm një ndeshje që dëmtohet por po shkatërrohet komplet gara.
Kjo mungesë e thelluar e neutralitetit nga ata që duhej të ishin simbol të tij duhet ta ndezin alarmin për të gjithë komunitetin e futbollit”, ka reaguar klubi Prishtina e Re.