Lionel Messi është padyshim ndër futbollistët më të mirë e më të dashur në gjithë historinë e futbollit. Argjentinasi është idhull i shumë atletëve gjithandej nëpër botë.
Por, shqiptarët tashmë kanë Mesin e tyre. Bëhet fjalë për atletin Lionel Mesi i cili vjen nga Shkodra dhe e bartë këtë emër me shumë krenari. Madje ai doli i pari edhe në garën “Kosova në lëvizje” në kategorinë e juniorëve.
Mesi ka rrëfyer për KosovaPress se si është ta bartësh një emër kaq të madh.
Lionel Mesi: Me këtë emër më pagëzoi babai im
“Unë quhem Lionel Messi, vijë nga Tirana në Shqipëri, kam ardhur në Kosovë për ta bërë garën Decathlon dhe dola në vend të parë. Duke qenë se unë jam me origjiinë nga Shkodra, e kemi mbiemrin Mesi dhe në vitin 2009 kur linda babi ma vendosi emrin Lionel”, bën të ditur fillimisht Mesi
Ai nuk ka asnjë dyshim se Leo Messi është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, madje edhe më i mirë se Cristiano Ronaldo.
Mesi: Messi është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave
“Për mua mendoj se ai është futbolliSti më i mirë të të gjitha kohërave. Në fushën e futbollit Messi, ndërsa nëse flasim jashtë fushës së futbollit, si atlet, është Ronaldo”
Por bartja e këtij emri sjellë me vete edhe presion, thotë Lioneli
Mesi: Është një lloj presion mbi mua shkaku i këtij emri
“Është në fakt pak presion, kërkohet më shumë prej emrit. Të gjithë mendojnë se Lionel Messi kush e di se çfarë futbollistit ose atleti. Është një shtytje edhe për mua që të bëhem një atlet sa më i mirë”, theksoi Mesi.
E për emrin e djalit, babai i tij, Bledari tregon se kishte vendosur para se ai të vinte në jetë.
Messi: E kisha ndarë mendjen për emrin para lindjes së djalit
“Unë e kisha ndarë mendjen që kur të bëhem me një çun do t’ia vendos emrin Leonel Mesi. Më thonë gjithmonë “ia ke vendosur nga Messi”, por edhe Leonel më ka pëlqyer emri. Normalisht edhe Messi në atë kohë sapo kishte lulëzuar dhe në momentin kur u bëra me çun dhe ia vendosa Leonel. Besoj që është emër shumë i bukur. Ai ka pasur një karrierë të mirë, sepse Leo gjithmonë ka luajtur futboll deri në moshën 17 vjeç. Ka qenë me ekipe si Partizani, Dinamo, ku së fundi, ishte në ekipin U17 dhe bëri një pauzë nga futbolli dhe po bën atletikë, por e rëndësishme është të merret me sport”, deklaroi Bledar Mesi.
Por a paragjykohet djali i tij për emrin që bartë dhe cila ishte arsyeja pse ai sot merret me atletikë e jo me futboll?
Mesi: E la futbollin sepse nuk i eci mirë
“Jo, absolutisht, ishte shumë e bukur. Të gjithë e pëlqenin. Faktikisht, ai deri para një muaji ishte pjesë e futbollit, ku ishte më bukur edhe më mirë, por e rëndësishme është të jetë pjesë e sportit. Ishte shumë mirë me futboll, pati një ngërç të vogël në kuptimin që te Tirana nuk i eci siç duhet dhe e mendoi vet ai këtë pjesë që ta lë për momentin ”, theksoi Mesi.