Shërbimet perëndimore të inteligjencës paralajmërojnë se janë të vetëdijshme për planet ruse për të ndikuar në zgjedhjet e përgjithshme të Hungarisë, duke përfshirë një skenar të mundshëm atentati ndaj kryeministrit Viktor Orban, sipas raportimeve të Washington Post dhe Nepszava. Plani, i emëruar "Gamechanger", synonte të përqendronte fushatën mbi sigurinë dhe stabilitetin, duke paraqitur opozitën dhe Partinë Tisza si pro-luftë dhe të mbështetur nga Brukseli.
Dokumentet tregojnë përdorimin e fushatave mediatike, përfshirë video të prodhuara nga AI dhe dokumente të fabrikuara, si dhe koordinimin nga zyrtarë rusë, përfshirë këshilltarin e ambasadës Tigran Garibian. Sipas gazetares Szabolcs Panyi, operativë të lidhur me inteligjencën ushtarake ruse janë tashmë në Hungari dhe rrjeti i lidhur "Matrjoska" po shpërndan lajme të rreme mbi atentate dhe grusht-shteti kundër Orbanit, transmeton intellinews, përcjell KP.
Zyrtarë perëndimorë e konsiderojnë Orbanin si një nga agjentët më të mirë të Rusisë dhe monitorojnë nga afër operacionet e ndikimit, ndërsa ekspertët vlerësojnë se ndikimi rus mund të mobilizojë mbështetësit, por efektet e plota janë të paparashikueshme. Analiza e ‘think-tankut’ Political Capital thotë se ndërhyrja ruse në zgjedhjet e 2026 mund të ketë nisur prej kohësh, dhe pyetja kryesore është sa efikase do të jetë.
Ngjarjet e fundjavës përfshinin mbështetje ndërkombëtare për Orban, me mesazhe nga Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu që e lavdëruan për stabilitet dhe siguri.
Lideri hungarez do të presë më 23 mars mbledhjen "Patriotët për Evropën" me pjesëmarrës si Matteo Salvini dhe Marine Le Pen, ndërsa presidenti polak do të vizitojë Budapestin për Ditën e Miqësisë Polako-Hungareze.