Një operacion i madh antidrogë është finalizuar në fshatin Gjinoc të Suharekës, ku pas një hetimi disamujor me masa të veçanta hetimore, Policia ka goditur një rast të rëndë të trafikut të narkotikëve.
Operacioni i koduar “Kimisti” është realizuar më 23 mars rreth orës 16:00 nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.
Gjatë aksionit, është ndaluar një furgon i tipit VW, ku në një bunker të improvizuar për fshehje janë gjetur dy qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë rreth 1 kilogram.
Operacioni ka vazhduar me arrestimin e tre personave: A. Rexhepaj, R. Berisha dhe B. Shillova, si dhe me realizimin e tri bastisjeve në rajonin e Suharekës.
Të dyshuarit janë arrestuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit janë në zhvillim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.