“Dardanët” me apel për tifozët para ndeshjes Sllovaki - Kosovë

- Bota Sot

“Dardanët” me apel për tifozët para ndeshjes Sllovaki - Kosovë

Tifo-grupi “Dardanët” kanë bërë një thirrje të veçantë për të gjithë tifozët e Kombëtarës së Kosovës para ndeshjes së rëndësishme të “play-off”-it mes Sllovakisë dhe Kosovës, që zhvillohet të enjten në Bratisllavë.

Tifogrupi “Dardanët” përmes një postimi kanë bërë të ditur se kanë organizuar një vendtakim për të gjithë tifozët, pa dallim se në cilin sektor të stadiumit do të jenë të vendosur.

“Me pak fjalë, ju lusim, në mënyrë që të shmangim ekspozime të tepërta dhe të panevojshme në kryeqytetin sllovak, që nga ora 14:00 deri në ora 17:45 të takohemi në lokacionin në fjalë: Gelato Point, Laurinská 780/2, 811 01 Starë Mesto, Slovakia” – bënë të ditur tifogrupi Dardanët.

Ndërkaq, “Dardanët” kanë theksuar entuziazmin e madh për këtë përballje, duke e cilësuar si një moment që mund të shënojë fillimin e një kapitulli të ri në historinë e ekipit kombëtar.

“Interesimi i jashtëzakonshëm për këtë ndeshje na gëzon pa masë. Së bashku, si në tribuna ashtu edhe në fushë, do të luftojmë për fitore” – bëhet e ditur në reagimin e tyre.

Në fund të mesazhit, tifogrupi ka theksuar se në Bratisllavë do të dëgjohet fuqishëm zëri i tifozëve kosovarë, duke premtuar mbështetje të zjarrtë për ekipin në një nga ndeshjet më të rëndësishme të saj.



Read it all at Bota Sot