Gjermani: Aleanca për tërheqjen e punonjësve të kualifikuar

- Bota Sot

Gjermani: Aleanca për tërheqjen e punonjësve të kualifikuar

Guido Seifen është drejtor ekzekutiv i kompanisë Omexom Hochspannung. Ndërmarrja me 500 punonjës ndërton linja e tensionit të lartë të transmetimit të energjisë elektrike. Është e vështirë të gjenden tani punëtorë të kualifikuar në Gjermani për kantieret e shpërndara në mbarë vendin, thotë Seifen. Kjo do të thotë për punonjësin të qendrojë gjatë javës larg familjes dhe shtëpisë. "Të jesh me punë larg vendbanimit nuk është më tërheqëse në Gjermani.”

Seifen i ka varur shpresat tek një projekt gjermano-vietnamez në kuadrin e bashkëpunimit për zhvillim, që synon të gjejë punonjës të rinj të kualifikuar. Vietnami ndodhet në kthesën drejt energjive të rinovueshme dhe në këtë proces mbështetet nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ). Kërkohen montues të linjave përcjellëse të elektrikut. Furnizuesi vietnamez i energjisë elektrike, EVN, ka krijuar një qendër trajnimi.

Këtu dëshiron të angazhohet Omexom me përvojën dhe dijen e saj. Kompania synon të trajnojë në Gjermani instruktorë vietnamezë nga EVN. Ata duhet të jenë në gjendje të trajnojnë sipas standardeve vendase, duke përfshirë edhe certifikatën e Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (IHK). Në qendrën e trajnimit në Vietnam, GIZ po hap gjithashtu kurse të gjuhës gjermane.

Në fund, duhet të trajnohen aq shumë montues, sa që rreth gjysmës së tyre tu ofrohet një vend pune në Gjermani. Deri në 200 veta, thotë Seifen, duke e quajtur këtë një situatë na e cila përfitojnë të dyja palët. "Duke u dhënë praktikantëve vietnamezë perspektivën për të shkuar në Gjermani, EVN beson se kjo e bën profesionin shumë më të vlefshëm dhe më tërheqës në Vietnam.”

Të tërhiqen punëtorë të kualifikuar të huaj për Gjermaninë dhe njëkohësisht të forcohen strukturat e trajnimit në vendet e origjinës dhe të transferohen njohuri – projekte të tilla dëshiron ti mbështesë qeveria federale.

Gjermania po plaket shpejt

"Gjermania ka nevojë për punëtorë të kualifikuar”, tha Ministrja për Zhvillim Reem Alabali-Radovan gjatë prezantimit në Berlin. Vendi po plaket ndjeshëm. "Parashikimet janë të qarta: Mbi 20 për qind e të punësuarve në Gjermani janë të paktën 55 vjeç dhe do të dalin në pension në dhjetë vitet e ardhshme.”

Studiuesit e popullsisë kanë llogaritur se Gjermanisë i duhen çdo vit 400.000 punëtorë të huaj të kualifikuar gjatë dhjetë viteve të ardhshme për të mbushur boshllëqet. Për të arritur këtë shifër, çdo vit duhet të imigrojnë rreth 1,6 milionë njerëz në Gjermani.

Në nivel të barabartë me vendet e origjinës

"Rekrutimi nga vendet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për ekonominë gjermane”, tha ministrja Alabali-Radovan. Popullsia atje është e re, shpesh e arsimuar mirë dhe vazhdon të rritet. "Shumë të rinj atje kërkojnë mundësi edhe jashtë vendit të tyre. Qeveritë e këtyre vendeve presin nga ne si qeveri federale të krijojmë dhe të forcojmë mundësitë për migrimin e fuqisë së kualifikuar.”

Ndërmjetësimi duhet të kryhet sipas rregullave transparente dhe të kontrolluara. Kjo përfshin informacione mbi kushtet e punës, pagat dhe kualifikimet e nevojshme. Ofrimi i trajnimeve duhet ti kualifikojë kandidatët si për vendet e origjinës ashtu edhe për Gjermaninë. Kostot dhe rreziqet duhet të ndahen. Punëtorët e mundshëm të kualifikuar duhet të jenë në gjendje të përballojnë kualifikimet shtesë ose kostot e zhvendosjes.

Supozimi se punonjësit e ardhur mund të punojnë menjëherë

Në aleancë marrin pjesë edhe shoqatat ekonomike, sindikatat dhe organizatat e diasporës. Detyra e tyre: të mbështesin në rekrutimin, përgatitjen dhe sidomos integrimin e punëtorëve ndërkombëtarë të kualifikuar. Sepse, siç u bë e qartë në aktivitetin në Berlin, kompanitë gjermane ende e nënvlerësojnë se çfarë do të thotë të punësosh një punonjës të huaj të kualifikuar.

"Shpesh përjetojmë që kompanitë mendojnë se po marrin një produkt të gatshëm, të cilin mund ta përdorin menjëherë”, tha keniania e lindur Edith Otiende-Lawani, e cila punon si drejtuese e një firme konsulence dhe me shoqatën e saj "Giving Africa a new Face” merret me integrimin e migrantëve në rajonin e Mynihut.

"Supozohet, seështë që njerëzit vijnë, dinë gjermanisht, integrohen shpejt, janë të qëndrueshëm dhe entuziastë ndaj Gjermanisë dhe gjithçkaje që lidhet me të”, tha Otiende-Lawani. Por kjo nuk është realiteti.

"Vijnë njerëz që në 80 për qind të rasteve funksionojnë ndryshe”

Kjo varet kryesisht edhe nga sfondi kulturor, shtoi Gerhard Hain, i cili këshillon ndërmarrjet gjermane për çështje ndërkulturore. "Nuk bëhet fjalë për të formuluar një fjali me gramatikë të saktë, por për faktin se në Gjermani komunikimi dhe drejtimi në kompani funksionojnë ndryshe.” Edhe në jetën e përditshme ka shumë pengesa që nuk janë të lehta për tu kapërcyer. "Duhet të jeni të përgatitur që vijnë njerëz që në 80 për qind të rasteve funksionojnë ndryshe nga njerëzit në Gjermani.”

Në rrugën e tyre drejt Gjermanisë, shumë njerëz duhet të përballojnë shumë gjëra dhe të kenë durim. Shpesh, për shkak të burokracisë së madhe, duhen vite derisa punëtori i huaj i kualifikuar të mund të fillojë realisht punën në Gjermani. Markus Lötzsch, drejtor i përgjithshëm i Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë në Nuremberg, ka shumë raste për të treguar për këtë. Shumë zyra të ndryshme janë përgjegjëse dhe zyrat e të huajve, veçanërisht në qytetet e mëdha, janë kronikisht të mbingarkuara.

Dhoma e Tregtisë merr përsipër detyra të autoriteteve gjermane

Zhgënjime ka madje edhe në procedurat e shpejtuara. "Përmes Welcome Desk-ut tonë, ne bashkëpunojmë, për shembull, me zyrat e të huajve në procedurën e përshpejtuar për punëtorët e kualifikuar”, tha Lötzsch. "Procedura e përshpejtuar për punëtorët e kualifikuar tingëllon shkëlqyeshëm, premton se gjithçka do të ecë shpejt dhe madje paguhet më shumë për të.” Por shpesh nuk ecën më shpejt.

Për të gjetur zgjidhje, Dhoma e Tregtisë investon para dhe personel për të marrë përsipër detyra të zyrës së të huajve. IHK-ja ndërkohë ka marrë aq shumë përgjegjësi, sa mund të kontrollojë paraprakisht të gjitha dokumentet e nevojshme dhe pastaj ti paraqesë ato në emër të ndërmarrjeve dhe punëtorëve të kualifikuar. "Zyra e të huajve e di që dokumentet vijnë nga një partner i besueshëm dhe kështu procedura kalon më lehtë.” 

Të gjithë aktorët e përfshirë në aleancën për tërheqjen e punonjësve të kualifikuar njëzëri theksojnë, se Gjermania duhet të ndryshojë mentalitetin shoqëror kundrejt migrantëve dhe punonjësve të huaj si dhe duhet të lehtësojë procedurat për pranimin e tyre. Ata që vijnë këtu për të punuar duhet të kenë edhe kushtet e përshtatshme për të qendruar. / DW



Read it all at Bota Sot