Formati i ri i kompeticionit

- Bota Sot

Formati i ri i kompeticionit

UEFA ka vendosur të mos bëjë ndryshime në rregullat aktuale për listat e lojtarëve në Champions League, duke refuzuar propozimin e disa klubeve të Premier League që kërkonin të rritnin numrin e futbollistëve të regjistrueshëm nga 25 në 28 për sezonin e ardhshëm.

Klubet angleze argumentuan se kalendari gjithnjë e më i ngjeshur dhe formati i ri i kompeticionit e bëjnë të nevojshme pasjen e një organike më të madhe për të menaxhuar më mirë përballjet e ngjeshura dhe rrezikun e lëndimeve.

Propozimi u diskutua gjatë një takimi të Komitetit të UEFA-s për kompeticionet, por nuk arriti të merrte mbështetjen e mjaftueshme për t’u miratuar.

Sipas raportimeve të gazetës ‘The Guardian’, kundërshtia kryesore ndaj këtij ndryshimi erdhi nga disa klube spanjolle, përfshirë Atletico Madridin, Sevillan dhe Real Sociedadin.

Këto klube shprehën shqetësimin se zgjatja e listave mund t’i favorizonte më shumë skuadrat angleze, të cilat janë tashmë më të forta ekonomikisht. Sipas tyre, leja për lista më të gjata do të rrisë hendekun konkurrues në kupat evropiane.

Rregullorja aktuale, që është në fuqi për gati dy dekada, do të mbetet e pandryshuar, me kufizimin e lojtarëve të regjistrueshëm në 25.

Megjithatë, çështja mund të rikthehet në diskutim në të ardhmen, sidomos pas ndryshimeve në formatin e Champions League, që ka rritur numrin e ndeshjeve sezonale dhe ka krijuar nevojë për menaxhim më të madh të skuadrave.



Read it all at Bota Sot