Reparti i sulmit është ai që fut në mendime trajnerin Sylvinho në prag të ndeshjes me Poloninë.
Kushtëzuar nga mungesat e Manajt dhe Dakut, braziliani ka provuar disa alternativa në ditën e dytë të stërvitjeve në kryeqytet.
Gjasat janë të mëdha që për duelin e “Play Off”-it, kombëtarja shqiptare të zbresë në fushë me një 9 false, ku alternativat janë Myrto Uzuni, por edhe surpriza Nedim Bajrami.
Trajneri nuk pritet të bëjë eksperimente. Në mbrojtje dhe mesfushë do t’u besojë lojtarëve që mbajtën peshën kryesore në fazën eliminatore.
Grupi i futbollistëve ishte i plotë në seancën stërvitore, ku u bashkuan edhe Uzuni, Gripshi dhe Bajrami. I pranishëm ishte gjithashtu edhe presidenti i Federatës Shqiptare, Armand Duka.
Pasi skuadra kreu një ndeshje brenda grupit, një vëmendje të veçantë në fundin e seancës stërvitore patën edhe penalltitë, pasi dueli i Varshavës është me eliminim direkt dhe nëse fituesi nuk vendoset brenda 90 minutave apo shtesave, do të shkohet te ruleta e 11-metërshave.
Kombëtarja do të udhëtojë drejt Varshavës të mërkurën paradite, ku është planifikuar stërvitja e fundit në stadiumin “Narodovi” dhe konferenca e trajnerit bashkë me kapitenin Berat Gjimshiti.
Sfida gjysmëfinale e Play Off-it kundër Polonisë do të luhet ditën e enjte.