Ndeshja Poloni-Shqipëri, e vlefshme për kualifikueset e “play off”, do të gjykohet nga Anthony Taylor.
Gjyqtari anglez njihet mirë në vendin tonë, pasi ka gjykuar kuqezinjtë ndaj Çekisë, por jo vetëm.
Taylor, drejtoi edhe finalen e titullit kampion në Shqipërisë, mes Egnatias dhe Partizanit. Për të zbuluar sekretet e tij, ka folur kapiteni i rrogozhinasve, Albano Aleksi.
Në intervistën për Klan News, mesfushori u shpreh se Taylor është një arbitër i rreptë, por nuk e nxjerr lehtë kartonin e kuq.
“Në momentin e parë që dëgjuam, morëm udhëzimet. Është një arbitër i rreptë dhe nuk lejon t’i lejohet njeri me arrogancë. Na tha se sa më të qetë të ishim ne, aq më i qetë do të ishte ai me kartonët.
Ne ishim përgatitur. Lojtarët janë më të frenuar kur kanë një arbitër me emër, pa nënvlerësuar edhe ata shqiptarë, që janë nivel i lartë. Ne e dinim që ai nuk të fal për kartonë. Për ne ishte eksperiencë e madhe. Shpresoj t’i sjellë fat edhe Kombëtares.
Kartonët e verdhë i ka qejf, por për të kuqët është i frenuar. Nuk i jep shpejt. Lojtarët të bëjnë maksimumin për një rezultat pozitiv. Ne kemi treguar, se kur jemi të bashkuar ia dalim. Shpresoj që arbitri të jetë fat për ne. Shpresoj të mos marrim kartonë shpejt”, u shpreh Aleksi.