Cristiano Ronaldo nuk është përfshirë në listën e Portugalisë, për dy ndeshjet miqësore të muajit mars.
Trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez ka njoftuar se CR7-a do të mungojë për shkak të lëndimit, por nuk dyshon se ai do të jetë i gatshëm të luajë në Kupën e Botës, pasi është një lojtar kyç për kombëtaren.
“Kupa e Botës nuk është në rrezik për të. Është një dëmtim i vogël muskulor.
Ai do të kthehet pas një ose dy javësh, nuk është një periudhë e gjatë.
Ai ka treguar se është në gjendje optimale fizike.
Ai është një lojtar kyç për ne. Cristiano është një kapiten shembullor.
Pasioni dhe përvoja e tij i frymëzojnë të gjithë dhe ndihmojnë në kohezionin e ekipit, veçanërisht në ndeshje të vështira”, ka deklaruar Martinez.
Portugalia më 29 mars do të luajë ndeshje miqësore me Meksikën, derisa më 1 prill me Shtete të Bashkuara të Amerikës.