Antoine Griezmann do të largohet nga Atlético e Madridit gjatë verës së ardhshme për tiu bashkuar Orlando City-t në MLS, ku do të bëhet lojtari i dytë më i paguar i ligës, pas Lionel Messit.
Kampion i botës, Griezmann ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me Orlando City-n, me një sezon të tretë opsional. Kjo marrëveshje financiare do t’i trefishojë pagën aktuale, duke e çuar në 10 milionë euro në vit, shumë më tepër se çdo lojtar tjetër i klubit, përveç Messit. Deri më tani, pagën më të lartë në Orlando e mbante Luis Muriel me 3,45 milionë dollarë.
Griezmann, i cili ka kontratë me Atléticon deri në 2027, publikoi një mesazh emocional në Instagram duke u ndarë nga ekipi spanjoll:
“Nuk është e lehtë të gjej fjalë për atë që ndiej, sepse ky klub është shtëpia ime dhe ju jeni familja ime. Ishte një udhëtim i jashtëzakonshëm, me ndeshje të paharrueshme, gola, gëzime dhe pasion që vetëm ata që jetojnë për Atléticon mund ta kuptojnë.”
Përveç përfitimeve financiare, ky transferim e vendos Griezmannin si lojtarin e dytë më të paguar në të gjithë MLS, duke e afruar me një nivel të lartë pas Lionel Messit, i cili fiton pak mbi 17 milionë euro tek Inter Miami.