Të gjithë e presin me padurim ballafaqimin mes kombëtares së Kosovës dhe Sllovakisë, e cila do të luhet nesër (20.45) në kuadër të ndeshjes së gjysmëfinales së play-off-it për një vend në Kampionatin Botëror në futboll.
Fituesi i kësaj sfide do të përballet në finale me fituesin e ndeshjes Turqia – Rumania.
Atmosferë e zjarrtë po mbretëron në Bratisllavë para kësaj sfide, ku priten mijëra shqiptarë të janë të pranishëm në stadium.
Trajneri i trajnerëve në Kosovë, Ajet Shosholli, tha se do të jetë një sfidë e vështirë për djemtë tanë.
“Djemtë tanë kanë pas paraqitje të mira dhe nuk është rastësisht avancimi i Kosovës në Ligën B të Kombeve.
Me Zvicrën luajtën baras, fituan dy herë Suedinë dhe tani janë në fazën e rëndësishme të play-off-it, për djem tanë është një motiv shtesë dhe të vazhdojmë kështu edhe në këtë ndeshje me Sllovakinë.
Të jemi real, do të jetë ndeshje mjaft e vështirë”, tha Shosholli për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Ish selektori i kombëtares së Kosovës dhe ish kryetrajneri i Prishtinës së gjeneratës së artë të kapitenit Fadil Vokrri, tha se djemtë do të luftojnë me tërë arsenalin për fitore.
“Mendoj që djemtë tanë do të bëjnë çmos edhe në këtë ndeshje te kalojmë ashtu siç duhet apo të fitojmë, kështu që më 31 mars të luajmë finalen e madhe, që kisha me quajt finale historike, ku do të ishte madhështore për futbollin e Kosovës dhe mbarë shqiptarët”, nënvizoi selektori i parë i kombëtares së Kosovës në periudhën 1991-1996.
Shosholli tha se edhe nëse nuk kualifikohemi, nuk duhet të zhgënjehemi, duke dhënë edhe arsyet e tija:
“Edhe nëse nuk arrijmë të kualifikohemi, mendoj se ne kemi formuar një kombëtare shumë të fortë, të respektueshme edhe për Ballkanin dhe për vetë Evropën.
Kemi thënë disa herë se kemi bërë një ndërrim të gjeneratës në mënyrë të qetë duke pasur edhe rezultate.
Kemi ripërtërirë kombëtaren, kemi 8-9 futbollistë të rinj që janë standardë, kemi ndërtuar një skelet të ekipit për një kohë të gjatë, për 7-8 vite e ardhshme, siç bie në sy Dion Gallapeni, Ilir Krasniqi, Fisnik Asllani, Albion Rrahmani, Leon Avdullahu, Albian Hajdari, Lumbadh Dellova, Elvis Rexhbeçaj etj. janë pjesë standarde e kombëtares tonë.
Mendoj se vet rezultatet tregojnë për një ekip stabile. Në të gjitha repartet ka stabilitet, në mbrojtje stabilitet, ku tri ndeshjet e fundit nuk kemi pranuar gol, dy ndeshjet e fundit me Suedinë dhe në Lubjanë të Sllovenisë.
Edhe sulmi relativisht është efikas, si Muriqi, Asllani, të gjithë që do të luajnë kanë krijuar një ndjesi për shënim edhe për rezultate, si dhe për shënim në momente të duhura”, ka përfunduar Shosholli.