A do të ndihet Sllovakia si mysafirë në Bratisllavë ndaj Kosovës? Reagon federata sllovake

- Bota Sot

A do të ndihet Sllovakia si mysafirë në Bratisllavë ndaj Kosovës? Reagon federata sllovake

Më pak se 24 orë kanë mbetur deri te ndeshja e play-off-it për kualifikimet e Kampionatit Botëror 2026 mes Sllovakisë dhe Kosovës.

Kjo ndeshje do të vendosë se kush do të përballet në finale me fituesin e çiftit Turqi – Rumani.

Dueli, i cili do të nisë në stadiumin në Bratisllavë të enjten në orën 20:45, biletat janë shitur tërësisht. 

“Sipas raportimeve të fundit, tifozët e Kosovës mund të përbëjnë më shumë se 50 për qind të spektatorëve në stadium gjatë ndeshjes së play-off-it mes Sllovakisë dhe Kosovës të enjten”, shkruan profili Kosova Football në rrjetin social X.

Nëse një situatë e tillë do të ndodhte vërtet, nuk do të ishte problem vetëm sa i përket mbështetjes për ekipin vendas, por edhe për aspektin e sigurisë”, shkruan media sllovake “Pravda”.

“Tifozët e të dyja palëve mund të përziheshin mes tyre, gjë që mund të çojë në provokime dhe konflikte të mundshme.

Federata e Futbollit e Sllovakisë tashmë ka reaguar ndaj këtyre pretendimeve me një deklaratë zyrtare”, shkruan më tej.

Deklarata e Federatës së Futbollit të Sllovakisë:

“Të gjitha kufizimet e mundshme gjeografike që kishim në dispozicion janë përdorur gjatë shitjes së biletave.

Ne e dimë se mes mbajtësve të biletave në sektorët vendas ka disa qindra emra me mbiemra ballkanikë.

Megjithatë, këta mund të jenë persona që kanë pasaporta të vendeve të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe atë sllovake.

Federata e Futbollit e Kosovës ka marrë 100 bileta për sektorin mysafir dhe 300 bileta të kategorisë së parë, në përputhje me rregulloret e UEFA-s.

Në çdo hyrje, dokumentet do të kontrollohen dhe do të krahasohen me emrat e deklaruar gjatë blerjes së biletave.

Nëse konstatohet se janë mbajtës të pasaportës së Kosovës, të cilët organizatorët nuk i konsiderojnë si rrezik (kjo mund të rezultojë edhe me refuzim hyrjeje sipas rregullave tona), atyre do t’u ofrohet zhvendosja në një sektor të përgatitur posaçërisht për arsye sigurie, ku duhet të jenë vetëm tifozët mysafirë.

Megjithatë, të gjitha rastet do të vlerësohen individualisht – qëllimi është komoditeti më i mirë i mundshëm për të gjithë vizitorët e ndeshjes pa dallim.

Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe UEFA-s. Menaxheri ynë i sigurisë, i cili është gjithashtu zyrtar sigurie i UEFA-s, më parë ka trajnuar menaxherin e sigurisë të Federatës së Kosovës. Ne do të zbatojmë të gjitha procedurat e provuara në menaxhimin e spektatorëve.

Ne besojmë fuqishëm se të gjithë tifozët kanë ardhur në ndeshje për hir të futbollit. Nëse vërejnë ndonjë aktivitet në sektorin e tyre që mund të rrezikojë sigurinë, rekomandojmë që të kontaktojnë menjëherë organizatorët, të cilët do të jenë të pranishëm në numër të mjaftueshëm për të parandaluar çdo incident të mundshëm.

Sipas informacioneve që kemi në dispozicion, tifozët e Kosovës nuk paraqesin rrezik të madh sigurie dhe nuk ka probleme me ta”.



Read it all at Bota Sot