Kombëtarja e Kosovës është mobilizuar për fitore në Bratisllavë.
Dardanët do të përballen me Sllovakinë, në takimin e gjysmëfinales së play-off-it për një biletë në Kampionatin botëror.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shkruar në profilin e tij në facebook: “Sot, kryeqyteti i Sllovakisë frymon shqip.
Jam pafundësisht krenar kur shoh se si bashkëatdhetarët tanë kanë udhëtuar nga çdo kënd i globit, nga SHBA-të dhe Kanadaja, nga Skocia, Gjermania, Austria e Belgjika, e deri te shtetet skandinave për të qenë krahu i djathtë i djemve tanë.
Ky nuk është thjesht një udhëtim. Është dëshmia më e pastër e atdhedashurisë dhe rrugëtimit tonë të përbashkët drejt ëndrrës së madhe.
Sonte, përballë nesh është sfida më rëndësishme në historinë tonë të futbollit kundër Sllovakisë. Por, me këtë përkrahje madhështore pas shpine, djemtë tanë në fushë nuk do të jenë vetëm.
Falënderoj nga zemra tifogrupin “Dardanët”, qytetarët e shumtë të Kosovës, bashkëatdhetarë nga të gjitha vendet e botës që po i qëndrojnë djemve tanë përherë afër në çdo arenë dhe për energjinë që i japin Kombëtares së Kosovës.
Uroj me gjithë shpirt që djemtë tanë sonte t’i përcjellë fati dhe t’ua shpërblejnë këtë mund e këtë besim me një fitore historike.
Forca Kosovë!”.