Në prag të një prej ndeshjeve më të rëndësishme në historinë e saj, Kombëtarja shqiptare e futbollit përballet me një sfidë vendimtare, ku çdo gabim mund të shuajë ëndrrën e madhe për kualifikimin në Kampionatin Botëror.
Ndryshe nga fazat e mëparshme eliminatore, ku kishte mundësi për korrigjime, takimi i sotëm ka peshën e një finaleje: një humbje do të thotë skualifikim i menjëhershëm.
Para ndeshjes, eksperti dhe trajneri Alfred Deliallisi theksoi se Kombëtarja ndodhet në momentin e saj më të mirë.
“Jemi në momentet më të mira, kemi më shumë eksperiencë si ekip dhe individualisht në arenën ndërkombëtare. Janë ndeshje që të vijnë pothuajse një herë në jetë. Me besimin dhe grupin që kemi, besoj që mund t’ia dalim,” u shpreh ai.
Deliallisi nënvizoi rëndësinë e përqendrimit maksimal: çdo gabim mund të kushtojë skualifikimin, ndaj plani është i qartë: një ndeshje perfekte që të mbijetojë dhe të çojë Kombëtaren një hap më pranë ëndrrës së Botërorit.
Optimizmi në kampin kuqezi mbetet i lartë, duke bërë të qartë se ky është një moment historik për futbollin shqiptar.