Kombëtarja e Kosovës të martën mbrëma në stadiumi “Fadil Vokrri” do të luajë finalen e ‘play-off’-it për Botërorin 2026, përballë një kundërshtari të fortë si Turqia.
“Dardanët” janë shumë pranë një arritjeje historike dhe mbështetja e tifozëve në kryeqytet pritet të jetë një faktor vendimtar në këtë duel jetik.
Një nga protagonistët e fitores ndaj Sllovakisë, Fisnik Asllani, ka shprehur optimizmin e tij para ndeshjes vendimtare.
Sulmuesi i Hoffenheim theksoi se atmosfera në stadium mund të bëjë diferencën.
Ai u shpreh i lumtur për golin e shënuar në ndeshjen e kaluar, duke vënë theksin te rëndësia e fitores së ekipit mbi gjithçka tjetër.
“Krejt golat kanë qenë me rëndësi, por jam shumë i lumtur që kam shënuar prapë”, tha ai.
Sipas tij, përballja me Turqinë do të jetë e vështirë, por Kosova është e gatshme të japë maksimumin në fushë.
“Besoj që do ta ‘kallim’ stadiumin me Turqinë. Do të jetë një lojë shumë e vështirë. Secila ndeshje deri tani ka qenë, por besoj që kemi me dhënë maksimumin në duel me Turqinë”, ka pohuar ai.
Asllani beson se shanset janë reale, duke shtuar se ndeshjet ndërkombëtare janë gjithmonë sfiduese për të dyja palët dhe gjithçka do të vendoset në fushën e lojës.
“Shanset janë aty, në përgjithësi ndeshjet me kombëtaret nuk janë të lehta. Besoj që ka me qenë një ndeshje e vështirë edhe për ata, por të shohim”, ka deklaruar Asllani.