Në Sllovaki nuk e përtypet dot disfata me rezultat 4:3 nga Kosova dhe eliminimin nga gara më e madhe botërore.
Media sllovake “Pravda” është e mërzitur shumë dhe madje e fajëson edhe Federatën e Futbollit të Sllovakisë për numrin e madh të shikuesve të Kosovës në tribunat e stadiumit.
“Dëshpërimi futbollistik “u derdh” në stadiumin ‘Tehelne Pole’ pas ndeshjes. “Një e keqe po zgjohet tek unë”, u ankua lojtari më i mirë sllovak.
Është e vërtetë se sllovakët u përballën me lëndime gjatë shtatë muajve të kualifikimeve. Nuk është çudi që munguan tre apo katër anëtarë të rëndësishëm të skuadrës.
Mbrojtja e improvizuar me nxitim nuk funksionoi kundër Kosovës. Ndeshja nuk shkoi mirë për dy nga tre mesfushorët. Nga lojtarët ofensivë, vetëm njëri nga katër ishte mbi nivelin mesatar.
Edhe portieri Dubravka bëri një gabim. Me kaq shumë situata të pafavorshme, vështirë se mund të dalë një rezultat pozitiv nga “ekuacioni i kualifikimit”.
Megjithatë, vjen për keq edhe një gabim tjetër nga Federata e Futbollit të Sllovakisë. Ajo pretendoi se ishte në fuqinë e saj të vendoste pesë mijë tifozë të Kosovës në një sektor me kapacitet prej një mijë ulësesh, një gjë jorealiste.
U premtuan kontrolle të rrepta. Sipas informacioneve që kemi, në asnjë sektor nuk pati kontroll për letërnjoftime apo kode SMS për numra telefonikë sllovakë.
A nuk do të ishte më e drejtë apo më burrërore të pranohej: bëmë gabim në kontrollin e shitjes së biletave, ose të pranohej se nëse qytetarët e Kosovës posedojnë pasaporta të vendeve të Bashkimit Evropian, ne nuk mund
t’i ndalonim?
Ata 15,000 sllovakë në Tehelné Pole dhe dhjetëra mijëra të tjerë para ekraneve televizive do ta meritonin një pranim të tillë”, shkruan meia sllovake.