Prania e Lionel Messit në Botërorin 2026 mbetet ende në dyshim. Lajmi është konfirmuar nga trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, i cili theksoi se vendimi final i takon vetëm vetë lojtarit.
“Është një pyetje që i përket atij”, deklaroi Scaloni, duke shtuar se gjithçka varet nga gjendja fizike dhe dëshira e Messit, i cili do të jetë 38 vjeç gjatë turneut që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
“Unë do të bëj gjithçka që ai të jetë aty, sepse futbolli ka nevojë për të”, u shpreh tekniku.
Scaloni pranoi se Messi nuk është i rëndësishëm vetëm për Argjentinën, por për gjithë botën e futbollit: “Të gjithë duan ta shohin në fushë”. Ai shtoi se kampioni i botës ka fituar të drejtën të marrë vendimin me qetësi, pa presion nga askush.
Ndërkohë, është konfirmuar se Messi do të jetë i pranishëm në dy ndeshjet miqësore ndaj Mauritanisë dhe Zambias, që do të zhvillohen në stadiumin ‘La Bombonera’.
Argjentina do të nisë mbrojtjen e titullit më 16 qershor kundër Algjerisë, përpara se të përballet me Austrinë dhe Jordaninë në Grupin J.