Lopez i lumtur te Barcelona: Dua të qëndroj këtu përgjithmonë

- Bota Sot

Lopez i lumtur te Barcelona: Dua të qëndroj këtu përgjithmonë

Mesfushori ofensiv i Barcelonës, Fermin Lopez, ka konfirmuar se është i lumtur në “Camp Nou”, pavarësisht interesimit të madh nga klubet angleze.

22-vjeçari kishte tërhequr vëmendjen e Chelsea-s dhe Manchester United gjatë dy afateve të fundit kalimtare, por vendosi të qëndrojë te katalanasit.

Në fund të janarit, Barcelona e shpërbleu me kontratë të re deri në vitin 2031, duke treguar besimin e plotë te talenti i tij.

Duke folur për “Catalunya Radio”, Fermin pranoi se periudha e interesimit nga klubet e mëdha nuk ishte e lehtë.

“Ishte pak e komplikuar, ndjeva shumë presion, por nuk u lëkunda asnjëherë. Nuk mund të flisja për asgjë”, tha Lopez.

Së fundmi, emri i tij është rikthyer në qendër të tregut. Sipas “El Chiringuito” Manchester United është i gatshëm të ofrojë deri në 100 milionë euro për transferimin e tij.

Megjithatë, lojtari e ka bërë të qartë qëndrimin e tij.

“Barcelona ma zgjati kontratën dhe jam shumë mirënjohës. Sa më përket mua, do të doja të qëndroj këtu përgjithmonë”, ka theksuar Lopez.

Fermin foli edhe për objektivat e tij me kombëtaren, duke theksuar ambicien për të qenë pjesë e Kupës së Botës.

“E vërteta është se e shoh veten aty. Ka ende kohë deri në fund të sezonit, por jam shumë i lumtur që jam këtu dhe shpresoj të jem në Botëror”, përfundoi Lopez.



Read it all at Bota Sot