Jan Bednarek po kthehej gjatë natës së të enjtes në një hero, jo për Poloninë, por për Shqipërinë.
Gabimi i tij në kontrollin e një topi të gjatë nga Ismajli, solli golin e avantazhit të shënuar nga Hoxha dhe i dha një shtysë kuqezinjve që të ëndërronin për Botërorin 2026.
Për fat të keq, Polonia përmbysi shifrat në pjesën e dytë, por Bednarek ishte shumë i lehtësuar që gabimi i tij nuk rezultoi fatal.
“Ishte një gabim i thjeshtë nga ana ime dhe një mësim dhe eksperiencë e madhe për të ardhmen, për të mos ndryshuar mendje në minutën e fundit.
Në atë situatë, kisha gjithçka nën kontroll dhe e vetmja gjë që dështoi ishte vendimi në fund fare. Në fillim, doja t’ia kaloja topin e parë Kiviorit, por pastaj pashë se kisha shumë hapësirë përreth meje dhe vendosa ta merrja topin
Si rezultat, bëra një gabim të thjeshtë, por për fat të mirë, treguam se jemi një ekip. Dhe kur një lojtar bën një gabim, ka të tjerë që do ta zgjidhin. Dhe për këtë meritojmë të marrim meritat. Leva shënoi një gol të shkëlqyer nga goditja standarte dhe Zielinski kishte bërë edhe më parë një gjuajtje të shkëlqyer që mund të kishte përfunduar në gol.
Një peshë e madhe më është hequr nga zemra sepse shumë mendime më kalonin nëpër kokë. E dija sa e rëndësishme ishte kjo ndeshje për ne, për tifozët tanë dhe për kombin. Ishte e vështirë, por kam pasur shumë momente të vështira në jetën time dhe kjo më dha eksperiencën për t’u përqendruar në hapin tjetër. Ne e fituam ndeshjen dhe tani të gjitha mendimet e mia janë të përqendruara te Suedia”, tha Bednarek.
Por çfarë ndryshoi mes pjesës së parë dhe të dytë që ndryshoi edhe qasjen e Polonisë e cila dukej në gjysmë në pjesën e parë.
“Shkëmbyem fjalë të rëndësishme dhe të sinqerta në dhomën e zhveshjes. Këto nuk ishin vërejtje emocionale, por të tilla që na ndihmuan të rregullonim taktikat tona.
Ndeshja filloi shumë mirë, por më pas loja jonë u dobësua pak. Pati gabime, përfshirë edhe atë që bëra unë.
Është e natyrshme që në një situatë të tillë, të ketë një ndjenjë pasigurie, jo vetëm brenda ekipit, por në të gjithë stadiumin. Por kështu e njeh një ekip që mund të dalë nga telashet. Ndikimi emocional ishte i jashtëzakonshëm. Për fat të mirë, tani mund të përqendrohemi te Suedia dhe që në fund të takohemi të gjithë në Kupën e Botës në qershor.
Thamë në pushim se mund të ndryshonim formacionin tonë pasi të kalonte pak kohë. Mendoj se patëm disa probleme me këtë formacion sepse patjetër duhet ta lëvizim topin më mirë dhe të përqendrohemi te topi.
Në këtë formacion, jemi katër veta në mbrojtje në vend të pesë, kështu që ka më shumë vrapim, por edhe më shumë lojtarë në sulm. Kundërshtarët tanë duhej të mendonin për mbrojtjen dhe kjo është një nga arsyet pse fituam”, shpjegoi Bednarek.