Dyshime për manipulim votash në Pejë – intervistohen disa persona, nën hetim për falsifikim të rezultateve

- Bota Sot

Dyshime për manipulim votash në Pejë – intervistohen disa persona, nën hetim për falsifikim të rezultateve

Një rast i ndjeshëm që lidhet me procesin zgjedhor po trajtohet nga autoritetet në Pejë, ku disa persona dyshohen për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Ngjarja ka ndodhur në një qendër votimi të vendosur në Gjimnazin “Bedri Pejani”, në rrugën “Gjergj Fishta”, ku dyshohet se ka pasur ndërhyrje në rezultatet zgjedhore.

Sot, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve disa persona, në prezencë të avokatëve mbrojtës, për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”.

Në mesin e të dyshuarve janë: Elion Gashi, Shkumbin Broqi, Elton Gjemajli, Egzon Mavraj, Gazmend Desku, si dhe Art Sharaxhiu, Albert Halitaj, Shkelzen Lani dhe Atdhe Mala.

Pas intervistimit, të gjithë të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore në Pejë me kallëzim penal ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe verifikimin e çdo ndërhyrjeje të mundshme në procesin zgjedhor.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Read it all at Bota Sot