Ademi: Të martën do ta shkruajmë historinë

- Bota Sot

Ademi: Të martën do ta shkruajmë historinë

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi në një intervistë ekskluzivë për Radio Kosovën, ka folur për fitoren e madhe të Kombëtares sonë ndaj Sllovakisë si dhe përballjen radhës kundër Turqisë.

Dardanët të enjten mbrëma mundën Sllovakinë në Bratislavë, me rezultat 4-3, duke bërë hapin e madh në garën për kualifikim në Kupën e Botës 2026 që gjatë kësaj verë mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Kosova finalen e pley-off-it e luan të martën mbrëma në ‘Fadil Vokrri’, sfidë që përcakton skuadrën që do të kualifikohet në Botërorin 2026.

I pari i futbollit tonë, thotë se emocionet janë të papërshkrueshme pas fitores ndaj Sllovakisë.

“Emocionet janë të papërshkrueshme në ato momente.

Të kujtohemi ku kemi qenë, reprezentacioni në sport, futbollistët dëshmorë, ata që kanë dhënë për sportin që nuk janë më, si ish presidentët e FFK-së, punëtorët sportivë, pra që kanë vuajtur në atë fazën që kemi qenë të përjashtuar nga stadiumet, atëherë nuk ishim në UEFA dhe FIFA, kishim kampion e të gjitha por bota e futbollit nuk na shihte sepse s’ishim të pranuar”, tha Ademi për Radio Kosovën..

“I kujtoj të gjithë ata sportistë e futbollistë, që kanë qenë super futbollistë por në mungesë të dokumentacioneve kanë mundur të zhvillojnë dhe mbajnë zingjirin e sportit që mos të këputët. Tash që jemi një hap larg Botërorit, në vetëm 10 vite, që tashmë është 10-vjetori. Dua t’ia dedikoj atyre që kanë kontribuar për sportin, Zoti kurrë mos i humbët”, ka theksuar ai.

Numri një i futbollit tonë theksoi se të enjten që lamë pas Bratislava frymoi shqip. Ademi thotë se stadiumi ‘Fadil Vokrri’ është shumë i vogël në krahasim me kërkesat e biletave për duelin me Turqinë. Ai kërkon që të mos keqpërdoren biletat për këtë sfidë historike.  

“Bratislava frymoi shqip, pritja ka qenë e jashtëzakonshme nga fillimi e deri kur na kthyen duke na uruar fitoren. Asnjë gjë nuk është më e vlefshme si njeriu, pra i kemi njerëzit që e bëjnë Kosovën brenda”, pohoi Ademi.

“Fadil Vokrri është aq i vogël dhe nuk ka kapacitet, nuk kemi nga të dalim pavarësisht kërkesave për bileta.

Uroj dhe shpresoj që festa të mos bëhet në stadium, por si festë e historisë të jesh në shesh, pranë televizorit në ekran ose në kafenë tona.

Duhet të lirohemi prej kësaj që të jemi në stadium, është fatlum ai që ka blerë biletë. Ju lutem mos i keqpërdorni biletat, edhe në rast që e jepni, atëherë jepni në familjen tuaj dhe jo te kojshitë, pra të mos bëhen më shumë turq.

Ju lus që të vini me pozitivitet dhe t’i përdorni për Kosovën, të vini me një zë më shumë për gladiatorët tanë. E di që nuk mund t’iu mundësoj të gjithëve për bileta, besoni që nuk ka asnjë biletë të vetme”, ka deklaruar Ademi.

Ai shpreson se të martën mbrëma në stadium do të jenë shqiptarë nga gjitha viset. Ademi është i bindur së Kosova të martën do ta shkruajë historinë.

“Shpresoj të kemi shqiptarët nga të gjithë trevat sepse të martën Kosova, shpresoj dhe besoj do të bëjmë historinë.

Ta bëjmë krenar këtë popull.

Biletat janë shitur brenda dy orëve. Fatkeqësisht kanë qenë afro 10 mijë bileta sepse të tjerat kanë qenë për turqit.

Rregullat e UEFA-s për eliminatorët është që të ketë më shumë turq, prandaj është dashur t’iu japim.

Të përkrahim shtetin në këtë ditë sepse në 90 minuta do të vendoset nëse jemi pjesë e arenës botërore ose jo”, ka përfunduar Ademi.



Read it all at Bota Sot