Sulmuesi meksikan foli për problemin që e mbajti larg fushave për një kohë të gjatë.
Pavarësisht vështirësive, Santiago Gimenez tani është gati të marrë në dorë Milanin dhe kombëtaren meksikane. Santiago Gimenez është rikthyer pas një dëmtimi që e la për muaj të tërë jashtë fushave.
Rreth këtij problemi fizik kishte shumë paqartësi dhe, në disa aspekte, dinamika nuk ishte plotësisht e qartë as për vetë lojtarin e Milanit.
Pas disa muajsh, sulmuesi vendosi të tregojë të gjithë rrjedhën e ngjarjes, duke identifikuar ndeshjen kundër Atalantës si momentin kyç që e çoi drejt një vendimi të rëndësishëm. Në një intervistë për “TUDN”, Gimenez shpjegoi në detaje jo vetëm kohëzgjatjen e dëmtimit, por edhe vështirësitë në aspektin mendor. Për një sportist, gjendja fizike është thelbësore, por kur je konkurrues, përpiqesh gjithmonë të shtrëngosh dhëmbët dhe të zbresësh në fushë.
“Shqetësimi më shoqëronte që para ‘Gold Cup’-it, dhe si lojtar mendon se nuk është asgjë dhe mund të vazhdosh, por pas çdo ndeshjeje dhimbja shtohej gjithnjë e më shumë.
Erdhi një moment kur u bë shumë e fortë. Isha titullar te Milani, pritshmëritë ishin të larta dhe aty fillon të pyesësh veten nëse duhet të ndalesh apo të vazhdosh”, u shpreh fillimisht sulmuesi.
Pika e kthesës erdhi para sfidës kundër Atalantës. Meksikani vendosi të rrisë dozën e qetësuesve, por kuptoi se nuk mund të vazhdonte më në ato kushte. Në atë moment, vendimi u bë i pashmangshëm dhe u mor në bashkëpunim me familjen.
“U përpoqa të vazhdoja duke marrë ilaçe për të luajtur, derisa arrita në një pikë ku nuk mund të vrapoja më nga dhimbja. Në atë ndeshje kundër Atalantës mora një dozë të dyfishtë ilaçesh dhe aty vendosa të ndalem. Pas analizave dhe radiografive, zgjidhja ishte operacioni.
Me Botërorin që po afrohej në verë, vlerësova çdo mundësi, por së bashku me familjen zgjodhëm ndërhyrjen kirurgjikale, ishte vendimi më i mirë”. Tashmë, Gimenez e ka lënë pas dëmtimin dhe është i fokusuar te e ardhmja.
Ai beson se Meksika mund të jetë protagoniste në Botëror. Pavarësisht problemeve fizike që kanë prekur kombëtaren, sulmuesi i sheh ato si motivim për t’u rikthyer më të fortë.
“Në prag të Botërorit, shumë njerëz në Meksikë janë të shqetësuar për numrin e dëmtimeve në kombëtare.
Nuk është kurrë mirë të ndalesh, por ata që janë të dëmtuar kanë edhe më shumë dëshirë të rikthehen në maksimum dhe do të kthehen më të fortë”, përfundoi ai.